Amnistia fiskale/ Eksperti i ekonomisë: Hedh në erë Reformën në Drejtësi, shfajëson abuzimet e kryera

Shqipëria

Amnistia fiskale/ Eksperti i ekonomisë: Hedh në erë Reformën në Drejtësi, shfajëson abuzimet e kryera

Më: 13 korrik 2022 Në ora: 15:10
Endrit Yzeiraj

Projektligji i amnistisë fiskale është pritur me rezerva nga ekspertët për shkak të pasojave që mund të sjellë në ekonomi.

Endrit Yzeiraj, ekspert ekonomie, parashtron disa prej këtyre problematikave. Shqetësimi i parë lidhet me rrethin e të përjashtuarve, i cili është i kufizuar, çka do të thotë se në radhët e kategorive që nuk mund të përfitojnë nga kjo amnisti, preken vetëm anëtarët e familjes. Në këtë mënyrë, të afërm ose miq të politikanëve, që janë përtej rrethit më të ngushtë do të lejohen të deklarojnë shuma të mëdha parash pa treguar burimin e tyre. Kjo, thotë Yzeiraj, hedh në erë të gjithë Reformën në Drejtësi dhe qëllimet e shpallura të saj.

“Në aspektin afatshkurtër, nisma duket si një mënyrë për të legalizuar paratë e korrupsionit të madh në Tiranë, jo për të thithur fonde nga jashtë vendi. Kjo, pasi akti lejon që familjarë ose miq të politikanëve, që janë përtej rrethit më të ngushtë (pra, partneres dhe fëmijëve) të deklarojnë shuma të mëdha parash pa treguar burimin e tyre. Kjo hedh në erë të gjithë Reformën në Drejtësi dhe qëllimet e shpallura të saj dhe shfajëson përfundimisht të gjitha abuzimet e kryera në Shqipëri gjatë këtyre tre dekadave”, thotë Yzeiraj.

Jo vetëm kaq, amnistia sipas tij do të minonte besimin e qytetarëve dhe sipërmarrëseve, duke zhbërë çdo arsye të mundshme për të investuar në ekonominë shqiptare.

“Në aspektin afatgjatë nisma shkatërron incentivat e një ekonomie të shëndoshë. Arsyeja pse një ekonomi zhvillohet është besimi i individëve, investitorëve dhe shoqërisë që mundi i tyre do shpërblehet. Prandaj njerëzit shkojnë në shkollë, prandaj hapin biznese, prandaj ndërmarrin risk dhe prandaj përpiqen të përmirësojnë produktet dhe proceset e punës. Nëse një shoqëri mëson se nuk ka nevojë të bëjë të gjitha këto për t’u pasuruar, por mjafton të pastrojë para kriminale, ajo shoqëri nuk zhvillohet pasi asnjë njeri nuk investon në procese prodhuese. Kjo nismë në afatgjatë do hiqte çdolloj arsyeje për të investuar në ekonominë shqiptare”, thotë Yzeiraj.

Ndaj është kërkuar që në nisma të tilla të ketë konsensus nga grupimet e tjera politike për të mos lejuar përsëritjen e tyre.

AMNISTIA 

Por hije dyshimi nuk ka vetëm për faktin që amnistia fiskale favorizon ata, të cilët nuk kanë deklaruar në këto 3 dekada pasurinë, por edhe mbi mënyrën sesi do të bëhet kjo. I gjithë procesi synohet të mbyllet vetëm në 5 ditë nga një njësi që do të funksionojë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Për ekspertët, mënyra e zbatimit është tejet e rëndësishme për të mos lejuar në rastin më të mirë dështimin e kësaj nisme dhe ne rastin më të keq kthimin e saj në “minë me sahat”, duke i hapur rrugën legalizimit të pasurive që vijnë nga bota e krimit dhe trafikut. Draftligji parashikon deklarimin vullnetar të pasurisë deri në 2 milionë euro. Ky është tavani që qeveria ka vendosur.

Nëse deklarimi bëhet brenda 4 muajve të parë nga hyrja në fuqi e ligjit, tatimi që do të paguhet do të jetë 7 për qind, ndërsa nëse bëhet pas këtij harku kohor, atëherë tatimi do të jetë 10 për qind. Por në ligj janë vendosur edhe kufizime. Mbi pasurinë e deklaruar, që mund të jetë në para ose prona, s’mund të bëhet asnjë veprim, pra s’mund të tërhiqet pa përfunduar afati 9-mujor i amnistisë. Ndërsa për transferimet jashtë vendit, qytetarët duhet të presin 5 vite. Në rastet kur subjektet që kanë deklaruar shuma në të holla dëshirojnë të transferojnë këto shuma ose ekuivalentin e tyre jashtë shtetit, përpara afatit 5-vjeçar nga data e depozitimit të tyre, u mbahet si penalitet në masën 30% të shumës së transferuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat