Operacion antidrogë në Shkodër, zbulohen parcela me kanabis! Asgjësohen 4200 bimë, në pranga 4 persona

Shqipëria

Operacion antidrogë në Shkodër, zbulohen parcela me kanabis! Asgjësohen 4200 bimë, në pranga 4 persona

Më: 13 korrik 2022 Në ora: 16:23
Foto ilustrim

Mbi 4200 bimë kanabisi të kultivuara në zonat e pyllëzuara në Shkodër, janë asgjësuar nga policia në një operacion të gjerë të zhvilluar gjatë 48 orëve të fundit.

Në këtë aksion janë angazhuar 250 forca policie në njësitë administrative Pult dhe Shalë. Janë kontrolluar 85 zona të pyllëzuara ku janë konstatuar sipërfaqe të mbjellura me kanabis.

Kontrolle të tilla janë zhvilluar edhe në Krujë dhe Mirditë, ku janë arrestuar 4 persona.

Njoftimi i policisë:

Operacion masiv antikanabis, i koduar “Pulti”. Operacioni, nga DVP Shkodër, në bashkëpunim me FNSH Shkodër, Drejtorinë e Luftës kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Prej 48 orësh, në njësitë administrative Pult dhe Shalë, të bashkisë Shkodër, po vijon operacioni në të cilin janë përfshirë 250 forca policore, të cilat po përdorin 4 dronë, dylbi dhe disa GPS, për të gjetur koordinatat e regjistruara nga monitorimi ajror i GDF-së dhe nga dronët e Policisë që ka në dispozicion DVP Shkodër.

Në instruktazhin e forcave policore, para fillimit të operacionit, ishte i pranishëm Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues i Lartë Albert Dervishaj, i cili u kërkoi përgjegjësve të grupeve të kontrollit që të tregojnë kujdes, të marrin masa sigurie për efektivët dhe nëpërmjet koordinatave të verifikohen të gjitha vendet ku ka dyshime që mund të jenë kultivuar bimë narkotike.

Gajtë operacionit janë kontrolluar 85 koordinata të evidentuara nga monitorimi ajror i GDF-së dhe kontrolli me dronët e Policisë së Shkodrës.U asgjësuan rreth 4200 bimë kanabis që ishin kultivuar në zona të pyllëzuara dhe në sipërfaqe të vogla me nga 15 deri në 20 bimë. 

Operacioni është në vijim.Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon puna për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorëve të kësaj veprimtarie kriminale.

Gjatë orëve të fundit, operacione masive janë zhvilluar në Krujë dhe në Mirditë, ku si rezultat janë vënë në pranga 4 shtetas, të dyshuar për kultivim të bimëve narkotike. 

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat