Mazhoranca mbron ministren Xhaçka, duke shkelur rregulloren! Alibeaj: Po shkelni procedurat në mënyrë që Kushtetuesja të mos e marrë në shqyrtim

Shqipëria

Mazhoranca mbron ministren Xhaçka, duke shkelur rregulloren! Alibeaj: Po shkelni procedurat në mënyrë që Kushtetuesja të mos e marrë në shqyrtim

Më: 16 korrik 2022 Në ora: 07:58
Enkelejd Alibeaj

 Ndonëse kanë kaluar më shumë se një muaj që nga mbledhja e parë e Këshillit të Mandateve dhe të rregullores në Kuvend për mandatin e deputetit të ministres Xhaçka, burri së cilës u bë investitor strategjik, Kuvendi s’ka ende një qëndrim.

Kryetari i Grupit të PD-së Enkelejd Alibeaj akuzoi dje mazhorancës se është vendosur në shërbim të ministres Xhaçka, duke shkelur rregulloren. “Jo më kot e kërkova unë dëgjesën me ministren Xhaçka. Kjo procedurë do përfundojë në Gjykatë Kushtetuese. Për të gjithë ne anëtarët e Këshillit të Mandateve dhe Rregullores e dimë shumë mirë se nëse do t’i bësh një shërbim atij që duhet të përballet me ligjin dhe Kushtetutën është që të bëhen disa shkelje procedure këtu dhe nesër kur të shkoj në Kushtetuese dhe Gjykata t’i thotë që ju i keni shkelur të drejtat dhe ne nuk e gjykojmë dot. Ndaj sot ne duhet të rikuperojmë gabimet dhe shkeljet që bëtë ju në seancën e kaluar”, tha Alibeaj.

Ndërkohë, sipas kreut të Grupit të PD-së në seancën e kaluar kryetarja e Kuvendit në shkelje të rregullores nuk lejoi deputetët që të bënin pyetje. “Dua të vë në dukje shkeljet e rënda të procedurës suaj dhe të kolegëve tuaj që konsumuar seancën e kaluar. Ne do duhet të operonim me dëgjesën e ministres. Ju se pranuat kërkesën, por më pas e thirrët Xhaçkën, e cila u përfaqësua me avokat. Ajo që ndodhi më pas ishte e turpshme për traditën e Parlamentit dhe të deputetëve.

Deputetit i jepet e drejta për të dëgjuar dhe për të bërë pyetje. Për të sqaruar pikat e faktit. Ju në shkelje të rregullore u ngritët dhe ikët dhe kjo nuk ju bën nder juve dhe parlamentit. Të ikësh me bisht ndër shalë e të fshehësh të vërtetën, nuk është pjesë e rregullores dhe nuk i shërben së vërtetës. Nëse misioni juaj është t’i bëni shërbim koleges tuaj kjo është taktika e gabuar. Ndaj për shkeljet që ndodhën në seancën e kaluar juve duhet t’i rikuperoni. Ju duhet t’i lejona deputetëve të drejtën për të bërë përgjigje. Rikuperoni shkeljen dhe na jepni drejtat tona për të bërë pyetje. Avokati i ministres është këtu. Na jepni të drejtën për të bërë pyetje”, tha Alibeaj.

DEBATI

Nga ana tjetër, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla dhe Ermonela Felaj argumentuan se sipas tyre seanca dëgjimore nuk nënkupton një seancë më pyetje përgjigje. “Përdorët fjalë që nuk janë të etikës së deputetit. Ne ishim totalisht në respekt të rregullores dhe të asaj që kemi vendosur për të dëgjuar. Kur themi seancë dëgjimore nuk nënkuptojmë faktin pyetje-përgjigje.

Detyra jonë nuk është për të bërë investigim në themel të çështjes”, tha Nikolla. “Referuar nenit 190 e rregullores e thotë qartë se procedura është tipike formale, sepse në këtë nen thuhet se Kuvendi nëpërmjet Këshillit të Rregullores verifikon nëse mocioni plotëson kërkesat juridiko-formale. Deputetja dhe ministrja Xhaçka është njoftuar për kërkesën. Pati një dakordësi që Xhaçka të mund të njoftohej që të dëgjohej. Është parim themelor që kushdo ka të drejtë të dëgjohet”, vijoi Felaj, argumenti i së cilës u rrëzua menjëherë nga Gazment Bardhi, i cili i përmendi socialistëve një tjetër mbledhje që bëhej dje paralelisht për kandidatët për avokatin e popullit ku thuhej seancë dëgjimore dhe kandidatët pyeteshin.

“E dimë që Këshilli i Mandateve s’është Komision Hetimor. Por, secili prej anëtarëve kur të formësojë qëndrimin, do duhet ta ketë të qartë se cili është versioni që jep secila nga palët. Ju nuk mund të ndiqni standarde të dyfishta. Kryetarja e Kuvendit tha se dëgjuam njërën palë dhe dëgjuam palën tjetër. Kërkuesin dhe palën që është pjesë e mocionit. Në seancën e dytë ju na keni bërë pyetje. Z. Balla i ka bërë pyetje. Pse ca e dini ju, seancë leximi e dini seancën dëgjimore? Në këtë moment që flasim kemi seancë dëgjimore me kandidatët e avokatit të popullit dhe atyre po u bëhen pyetje. Ju znj. kryetare në seancën e kaluar hodhët në erë rregullat e parlamentarizmit”, tha Bardhi.

Ndërkohë dje, deputeti i PD-së Agron Shehaj depozitoi në Këshillin e Mandateve prova dhe fakte që sipas tij, ministrja ka përfituar nga pasuritë shtetërore dhe është kushtet e heqjes së mandatit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat