Vendimi i RMV-së për propozimin francez, reagon Meta: I hapet rrugë integrimit në BE!

Shqipëria

Vendimi i RMV-së për propozimin francez, reagon Meta: I hapet rrugë integrimit në BE!

Më: 16 korrik 2022 Në ora: 15:36
Presidenti Ilir Meta

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas vendimit të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut e cila miratoi propozimin francez.

Kreu i Shtetit shqiptar thotë se ky vendim i hap rrugë negociatave të anëtarësimit në BE javën e ardhshme.

Në një postim në Facebook, Meta shkruan se vendimi i Këshillit Europian që do merret pas disa ditësh, duhet të kthjellojë mirë çdo vendimmarrës këtu për përgjegjësitë që ka në ndjekjen e politikave.

Meta thotë se përgëzon edhe faktorin politik shqiptar që ka mbetur besnik i orientimit europian të Shqipërisë.

Postimi i Ilir Metës:

Përshëndes votimin pro-formulës Makron nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut, që çel rrugën e negociatave të anëtarësimit në BE javën e ardhshme për të dy vendet tona. Përgëzoj faktorin politik  shqiptar, që gjithmonë mbetet besnik i orientimit europian, vendimtar për paqen, sigurinë dhe bashkëjetesën ndëretnike. Vendimi i Këshillit Europian që do të merret pas disa ditësh duhet të kthjellojë  mirë çdo vendimmarës këtu për përgjegjësitë që ka në ndjekjen e politikave që Shqipërinë e bëjnë më europiane, më demokratike dhe më shpresëdhënëse.

Çfarë është propozimi francez

Propozimi francez përbëhet nga shtatë pika. Pjesa që ka nxitur më së shumti debat është çështja e gjuhës dhe e kaluara historike, e cila është pjesë e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe si e tillë, kjo marrëveshje është e përfshirë dhe në propozimin francez.

Në pikën e tretë theksohet se, “Në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Këshilli rikujton rëndësinë e arritjes së rezultateve të prekshme dhe zbatimit me mirëbesim të marrëveshjeve dypalëshe, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin (marrëveshjen) për fqinjësi të mirë me Bullgarinë”.

Në propozimin francez gjuha maqedonase definohet si e tillë, pra gjuhë maqedonase pa sqarime plotësuese apo fusnotë, ndërkohë që apostrofohet se BE-ja do t’i notojë deklaratat e dy shteteve, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, në raport me gjuhën.

Në pikën e katërt të propozimit francez, krahas detyrimit për realizimin e reformave, theksohet se, “Këshilli në këtë drejtim mirëpret synimin e Maqedonisë së Veriut të nisë dhe të arrijë si çështje me prioritet ndryshimet kushtetuese, me qëllim përfshirjen në Kushtetutë të qytetarëve që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e njerëzve të tjerë, si bullgarët”.

Përmes propozimit francez synohet tejkalimi i dallimeve që ka Maqedonia e Veriut me Bullgarinë dhe zhbllokimi i fillimit të bisedimeve për anëtarësim në familjen evropiane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat