Vdekja misterioze e tregtarit të armëve në Tiranë/ Mashtroi me 42 milionë euro qeverinë polake me respiratorët e Covidit!

Shqipëria

Vdekja misterioze e tregtarit të armëve në Tiranë/ Mashtroi me 42 milionë euro qeverinë polake me respiratorët e Covidit!

Më: 26 korrik 2022 Në ora: 16:45
Andrzej Izdebski

Andrzej Izdebski, një tregtar armësh dhe aparatesh respiratorë, ka ndërruar jetë në Shqipëri. Mediat polake informojnë se lajmi është konfirmuar nga Europol dhe se 73-vjeçari ka ndërruar jetë në Tiranë rreth një muaj më parë.

“Trupi i Izdebskit u gjet në kryeqytetin shqiptar në një banesë më 20 qershor”, raportojnë mediat polake. Në atë kohë policia e Tiranës informoi se një shtetas polak ishte gjetur pa shenja jetë në një banesë që kishte marrë me qira në bulevardin “Bajram Curri”, duke dhënë vetëm iniciale e viktimës, pa e identifikuar atë.

“Më datë 20.06.2022, në bulevardin “Bajram Curri”, në një banesë të marrë me qira, është gjetur pa shenja jete, shtetasi polak A. H., 73 vjeç. Nga këqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, informuan blutë e Tiranës.

Mashtrimi 42 milionë eurosh me aparatet respiratore

Gjithçka filloi në pranverën e vitit 2020, në kulmin e pandemisë. Pas njoftimeve për vdekjet masive në Poloni si rezultat i mungesës së respiratorëve, Ministria e Shëndetësisë, e drejtuar në atë kohë nga Łukasz Szumowski, nënshkroi një kontratë 42 milionë euro me kompaninë Lublin E&K, që mbulonte furnizimin me këto pajisje.

Sipas kontratës, kompania do siguronte mbi 1200 respiratorë të cilësisë së lartë. Kontrata ishte shumë e shtrenjtë, por pajisjet duhet të siguroheshin shpejt. Ministria pagoi një paradhënie të madhe dhe respiratorët e parë do të dorëzoheshin në spitalet polake në prill por kjo gjë nuk ndodhi.

Kur lajmi u bë publik, në qershor, ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Łukasz Szumowski e mohoi duke thënë: “Janë të rreme. Grupi i parë i respiratorëve ka mbërritur në Poloni, grupi tjetër do të arrijë këtë muaj. Këta janë respiratorë nga një prodhues i njohur, me të gjitha garancitë.”

Por shumë shpejt doli e vërteta. Rezultonte se ministria kishte marrë vetëm 200 nga 1241 respiratorë të porositur dhe 418 të tjerë pas skadimit të kontratës.

Këto ishin pajisje pa dokumentacion të duhur, pra të papërdorshme dhe të ndryshme nga ato të porositura.

Respiratorët nuk vinin nga prodhuesi, por nga një ndërmjetës tjetër në … Pakistan. Ndërkohë, u zbulua se kompania E&K ishte në pronësi të Andrzej I., një tregtar armësh me përvojë.

Mediat përcaktuan se ai ishte i përfshirë në tregtinë e paligjshme të armëve dhe OKB-ja e kishte futur në një “listë të zezë” për kontrabandën e armëve në Angola, Liberi e Bali. Madje ka bashkëpunuar me Wiktor But, i njohur si “tregtari i vdekjes”,

Mjaftonte të fusje adresën e kompanisë E&K në Google për të parë se kjo “ndërmarrjeje” nuk ishte një kompani ndërkombëtare, që zbatonte kontrata për qindra milionë euro.

Në pyetjen se pse departamenti bleu respiratorë nga një kompani në pronësi të një tregtari armësh, Ministria e Shëndetësisë u përgjigj: “E &K është një subjekt që funksionon ligjërisht. Ministria nuk kontrollon profilin e biznesit të kompanive që paraqesin oferta për blerjet. Ofertat janë verifikuar gjithmonë në aspektin e përmbushjes së kritereve të kontratës dhe aftësisë së ofertuesit për të ofruar.”

Pas skandalit, ai nuk u ndalua të largohej nga vendi dhe u zhduk, raportojnë mediat polake.

“Zyra e Doganave dhe Taksave të Lublinit, me të cilën po hetojmë, ka vërtetuar se i dyshuari është larguar nga Polonia me rrugë ajrore në dhjetor 2020 dhe pas kësaj kohe nuk ka asnjë gjurmë të hyrjes së tij në vend”, tha prokurori Bartosz Wójcik.

Për të u lëshua urdhër arresti vetëm më 21 mars 2022.Për më shumë se një vit ai ishte në gjendje të udhëtonte lirshëm nëpër botë dhe të bënte biznes.

Dhe së fundmi është zbuluar se destinacioni i tij ishte Shqipëria. Trupi i tij i pajetë raportohet se nuk është kthyer në atdhe dhe se hetuesit polakë kanë udhëtuar drejt vendit tonë për të hetuar. Shkaku i vdekjes së tij nuk dihet ende.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat