Çuçi nënshkruan marrëveshjen me Spanjën: Grup i përbashkët hetimi në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar

Shqipëria

Çuçi nënshkruan marrëveshjen me Spanjën: Grup i përbashkët hetimi në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar

Më: 1 gusht 2022 Në ora: 10:44
Foto nga takimi

Gjatë vizitës në Tiranë të kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez, sot është nënshkruar marrëveshja mes Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Brendshme të Mbretërisë së Spanjës mbi luftën kundër krimit.

Për palën shqiptare nënshkrimi është bërë nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ndërsa për palën spanjolle nga ambasadori Álvaro Renedo Zalba.

Marrëveshja mes dy vendeve tona adreson nevojën e një bashkëpunimi ndërkombëtar më ambicioz për të luftuar me efikasitet të gjitha format e krimit të organizuar, në veçanti organizatat kriminale që kanë si objekt trafikun e narkotikëve, trafikimin e qenieve njerëzore, pastrimin e të ardhurave të krijuara nga aktiviteti kriminal dhe terrorizmi.

Shqipëria dhe Spanja do të ngrenë grupe të përbashkëta hetimi në fushën e luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar duke përdorur instrumentet e inteligjencës policore dhe hetimit që të dy vendet vlerësojnë të përshtatshme.

Kjo formë konsiderohet si një nga metodat më të avancuara të bashkëpunimit policor ndërkombëtar për të zhvilluar hetime komplekse të organizatave kriminale që operojnë në disa shtete dhe për të shkëmbyer informacion në kohë reale.

Spanja si vend anëtar i BE-së mbetet një partner i rëndësishëm për Shqipërinë kur është fjala te bashkëpunimi policor dhe lufta kundër krimit të organizuar.

Së bashku kemi realizuar disa operacione të suksesshme për goditjen e grupeve kriminale në fushën e kultivimit të kanabisit.

Një prej tyre ishte edhe operacioni “Dobra” që çoi në pranga mbi 100 persona, si dhe angazhoi mbi 400 oficerë policie në Spanjë, Shqipëri dhe Gjermani.

Shqipëria ka ngritur gjithashtu një seri skuadrash hetimore edhe me vende të tjera të Bashkimit Europian, të cilat kanë dhënë rezultate të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat