Ngjarje e rëndë në uzinën ushtarake të Gramshit, dy shtetas rusë plagosin ushtarët shqiptarë

Shqipëria

Ngjarje e rëndë në uzinën ushtarake të Gramshit, dy shtetas rusë plagosin ushtarët shqiptarë

Më: 20 gusht 2022 Në ora: 21:54 Përditësuar në ora: 09:23 më 21.08.2022
Ushtarët shqiptarë të sulmuar nga dy rusë e një ukrainas tashmë duken në gjendje të mirë shëndetësore

Ngjarja e rëndë me rusët në Gramsh, vjen reagimi i parë Presidenti Begaj

Pas ngjarjes së rëndë me shtetasit rusë, ku dy ushtarakë shqiptarë u sulmuan me spray neuroparalizues, ka reaguar edhe presidenti i vendit Bajram Begaj.

Përmes një publikimi në rrjetet sociale, Begaj shprehet se është në komunikim të vazhdueshëm me strukturat e sigurisë.

“Ngjarjen në uzinën e Gramshit po e ndjek me shumë vëmendje. Jam në komunikim të vazhdueshëm me strukturat e sigurisë, Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, strukturat e shërbimeve informative dhe ato ligjzbatuese, të cilat i inkurajoj dhe mbështes për të vazhduar punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe parandalimin e çdo situate që cënon sigurinë kombëtare.

Mirënjohje për dy efektivët e Forcave të Armatosura, të cilëve u uroj shërim të shpejtë”, shkroi presidenti.

Çfarë deklaruan dy rusët dhe ukrainasi pasi u arrestuan nga policia për incidentin në Gramsh

“Jemi turistë. Kemi pasion fotografinë e uzinave të braktisura. Menaxhojmë faqe në instagram dhe nuk i përkasim asnjë agjencie inteligjente”. Kështu janë shprehur para autoriteteve shqiptare 3 personat e ndaluar pasi kanë tentuar të futen në uzinën e Gramshit.

Gazetarja e Top Channel Dorjana Bezat mëson se pavarësisht pretendimit të tyre, sendet personale të 2 djemve dhe një vajze, 2 prej tyre rus nga Moska dhe një ukrainas janë çuar në laboratorin shkencor për ekzaminim.

Top Channel ka zbuluar blogun që menaxhohej nga 33 vjeçarja Svetlana Valerneva Timofoeva. Në faqen e saj të instagramit 33 vjeçarja ka postuar foto vetëm disa minuta para ndalimit nga policia. Në këtë blog në njërin nga postimet ajo shkruan se ka 15 vite që e ndjek këtë hob.

Grupi shihet se ka qenë në shumë vende e ka fotografuar uzina të ngjashme. Ata kanë postuar edhe kur vrapojnë pasi autoritetet i kanë zbuluar që janë future në një zonë të ndaluar. Në faqe ka fotografi nga Bullgaria, Gjeorgjia, Greqia e së fundmi nga italia.

Dyshohet se janë agjentë rusë, autoritetet shqiptare njoftojnë Ambasadën e Rusisë për sulmin në Gramsh

Autoritetet shqiptare përfshirë policinë, Ministrinë e Mbrojtjes, Shërbimin Informativ Shtetëror dhe Agjencinë e Antiterrorit janë përfshirë ne hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë të ndodhur në Gramsh, ku dy ushtarakë u sulmuan nga dy shtetas rusë dhe një ukrainas.

Gazetari Igli Çelmeta ka raportuar se ka dyshime të forta nga ana e Antiterrorit që pajisja e gjetur në çantën e shtetasit rus Mikhail Zori nuk është aparat fotografik, por një pajisje spiunimi dhe se të arrestuarit janë agjentë të shërbimeve sekrete ruse.

Të shqetësuar për ngjarjen e paprecedentë, mësohet se autoritetet shqiptare kanë njoftuar Ambasadën e Rusisë në Tiranë, për të kërkuar informacion të thelluar për shtetasit rusë.

Këta të fundit tentuan të hynin me forcë në perimetrin e ruajtur me roje ushtarake.

‘Rusëve u është sekuestruar dron’, gazetari jep detaje të reja për sulmin ndaj ushtarëve

Gazetari Endri Mema thotë se dy shtetasve rusë dhe shtetases ukrainase, u është sekuestruar nga Antiterrori, një dron me të cilin bënin foto te uzina ushtarake e Gramshit.

Në një intervistë për “Euronews Albania”, Mema u shpreh se ata kanë pasur informacione të sakta në lidhje me uzinën.

“Ata kanë pasur edhe një dron me të cilin kanë filmuar. Është sekuestruar nga Antiterrori. Ata kanë pasur njohuri të sakta për veprimtarinë e kësaj uzine, e cila së fundmi përveç demontimit dhe riparimit të armëve shqiptare, prodhon dhe municione të armëve të NATO-s. Këto janë me interes për palën ruse sepse një pjesë emadhe e armatimit shqiptar ka shkuar drejt Ukranës, si pjesë e ndihmës ushtarake”, theksoi gazetari.

Incidenti në Uzinën e Gramshit, ka ndodhur rreth orës 17:40 pasi roja ka vënë re lëvizje të dyshimta rreth objektit.

Menjëherë ai ka njoftuar përgjegjësin e rojeve se një person ka hyrë drenda territorit dhe ka tentuar të bëjë fotografi.

Të dy efektivët kanë zbatuar rregullat ushtarake me qëllim ndalimin e personit, duke i bërë fillimisht thirrje të ndalojë.

Pavarësisht thirrjes së rojes dhe përgjegjësit të ruajtjes së Uzinës, personi  ka tentuar të largohet, por falë reagimit të shpejtë të dy efektivëve është bërë ndalimi i tij.

Në këtë moment personi është kundërpërgjigjur duke përdoruar spray neoparalizues ndaj dy ushtarakëve për të shpëtuar, por dy rojet ushtarake kanë bërë ndalimin e tij.

Menjëherë pas njoftimit policia ka bërë shoqërimin e shtetasit rus, M. Z., 24 vjeç.

Ndërkaq janë vërejtur edhe dy persona të tjerë jashtë rrethimit të Uzinës, një femër dhe një mashkull që shoqëronin këtë shtetas.

Shërbimet e Policisë  bënë të mundur që në afërsi të kësaj zone të konstatojnë dhe të bllokojnë automjetin tip “Chevrolet”, me të cilin udhëtonin shtetasja ruse S.T. 33 vjeçe dhe shtetasi ukrainas F. A., 25  vjec.

Kjo është makina "Chevrolet" që priste jashtë rrethimit të Uzinës Ushtarake të Gramshit

Ora News siguron makinën "Chevrolet" në të cilën udhëtonin shtetasja ruse dhe shtetasi ukrainas të cilët shoqëronin 24 vjeçarin rus që kishte hyrë në territorin e Uzines Ushtarake në Gramsh dhe po fotografonte.

Gazetarët informuan se makina është me targa AX 6200 IP targe ukrahinase.

Ora News ka arritur të sigurojë dhe foton.

Makina është e regjistruar në Ukrainë / Kharkiv.

Rreth orës 17:40 minuta te 20 gushtit  dy roje ushtarake shqiptare janë sulmuar me spraj neuroparalizues nga një shtetas rus i cili kishte hyrë brenda territorit të Uzinës dhe ka tentuar të bëjë fotografi.

Rojet i kanë bërë thirrje të ndalonte por ai ka tentuar të largohet. Në momentin kur dy rojet e kanë ndaluar ai është kundërpërgjigjur duke përdorur spraj neoparalizues ndaj dy ushtarakëve për të shpëtuar, por dy rojet ushtarake kanë bërë ndalimin e tij.

E ndërsa policia ka bërë shoqërimin e 24 vjeçarit në Mikhail Zorin në Komisariatin e Gramshit, janë vërejtur edhe dy persona të tjerë jashtë rrethimit të Uzinës një shtetase ruse e cila është identifikuar si Svetlana Timofoeva 33 vjeç dhe një shtetas ukrainas i identifikuar me inicialet F.A, 25 vjeç.

Policia ushtaraka ka njoftuar policinë e shtetit e cila ka bërë ndalimin e menjëhershëm të dy personave jo shumë larg nga uzina. Gjithashtu kanë bllokuar dhe automjetin tip “Chevrolet”, me të cilin udhëtonin shtetasja ruse dhe shtetasi ukrainas.

Dy ushtaraket jane sjellë me urgjencë në QSUT ku dhe kanë marrë mjekimin e duhur pasi kishin paralize faciale dhe probleme me sytë. Në orët e vona të mbrëmjes u mësua se gjëndja e tyre shëndetësore ishte përmirësuar.

​Ministri Peleshi vizitoi ushtarakët e sulmuar nga rusët

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë Niko Peleshi ka vizituar të shtunën dy ushtarakët shqiptarë, të cilët u lënduan si pasojë e një sulmi me sprej kimik nga tre shtetas të huaj në fabrikën e armatimit në Gramsh.

Ai me këtë rast ka zhvilluar një bisedë me dy ushtarakët, për të cilët ka shprehur mirënjohje që sakrifikuan për të ruajtur një objekt strategjik sikurse fabrika e Gramshit, dhe njëherësh u ka uruar shërim të shpejtë.

“Bisedova me ta dhe u garantova mbështetjen e pakursyer timen dhe të Ministrisë së Mbrojtjes. Shërim të shpejtë dy efektivëve tanë”, ka shkruar ministri Peleshi në Facebook.

Dy ushtarakët e lënduar shqiptarë janë vizituar edhe nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Arben Kingji.

Policia e Shtetit ka arrestuar dy shtetas rusë dhe një ukrainas lidhur me rastin. 

Sulmi ndaj ushtarëve shqiptarë nga agjentët rusë, VOA: Dyshime për spiunazh

Në Shqipëri, dy shtetas rusë, M.Z., 24 vjeç dhe S.T., 33 vjeçe, së bashku me një shtetas ukrainas, F.T., 25 vjeç, u arrestuan mbrëmjen e së shtunës nën dyshimet për spiunazh, pasi njëri prej tyre kishte hyrë në uzinën ushtarake në Gramsh, duke tentuar të bëjë fotografi. Sipas një njoftimi të ministrisë së Mbrojtjes “roja ka vënë re lëvizje të dyshimta rreth objektit. Menjëherë ai ka njoftuar përgjegjësin e rojeve se një person ka hyrë brenda territorit dhe ka tentuar të bëjë fotografi”. Të dy ushtarakët më pas i kanë bërë thirrje të ndalojë, të riut M.Z.. Ndërsa ky i fundit është përpjekur të largohet, është ndaluar nga ushtarakët, pavarësisht se në këtë moment ai ka përdorur ndaj tyre një spray paralizues, duke ua hedhur në fytyrë.

Ndërsa i riu rus është shoqëruar në komisariatin e Gramshit, policia ushtarake, ka vërejtur dhe dy persona të tjerë, që dyshoheshin se po shoqëronin të riun rus që kishte hyrë në Uzinë. Sipas njoftimit të ministrisë së Mbrojtjes, gruaja ruse 33 vjeçare dhe ukrainasi 25 vjeçar, janë ndaluar nga policia jo shumë larg Uzinës, ndërsa udhëtonin me një automjet sportiv me targa të Ukrainës.

Të dy ushtarakët që bënë të mundur ndalimin e të riut që kishte hyrë në Uzinë, u trasportuan me shpejtësi në një spital të kryeqytetit, për shkak të problemeve me shikimin, të provokuara nga spray paralizues. “Ekipet e specializuara të Toksikologjisë, Djegie-Plastikës dhe ORL kanë kryer konsultat dhe ekzaminimet e plota për dy ushtarakët e ekspozuar ndaj gazit irritues, të cilët po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe janë në gjendje të qëndrueshme, pa probleme akute të helmimit”, bëri të ditur në një njoftim të sajin Ministria e Shëndetësisë.

Për momentin nuk dihet se cili ka qenë qëllimi i shtetasve rusë dhe ukrainas të arrestuar. Në një reagim për ngjarjen kryeministri Edi Rama deklaroi se ata “dyshohen për spiunazh”, duke për “një ngjarje delikate”. Për zbardhjen e saj janë angazhuar përfaqësuesë të Policisë Ushtarake dhe Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes dhe në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale dhe Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit.

Uzina e Gramshit, e ndërtuar në vitin 1962, ka prodhuar në të kaluarën armë, fillimisht pushkë të tipir “Simonov”, kalibër 7.62 mm, dhe më pas kallashnikovë. Më pas ajo është përdorur për të ofruar shërbime prodhuese për industrinë e mbrojtjes me makineritë e saj të precizionit të lartë apo dhe riparime. Ndërsa deri në një vit më parë është përdorur për demontimin e armëve të tepërta.

Edi Rama reagon pas sulmit ruso-ukrainas në Gramsh: Tre individët dyshohen për spiunazh

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas sulmit të ndodhur sonte në depon e armatimit në Gramsh. Tre shtetas të huaj, dy rusë dhe një ukrainas janë kapur nga Policia Shqiptare, derisa Rama ka bërë të ditur se të njëjtit janë të dyshuar për spiunazh.

Rama ka thënë se është krenarë për rojet ushtarake që kanë neutralizuar tre shtetasit e huaj.

“Çfarë trishtimi që edhe kur bëhet fjalë për një ngjarje kaq delikate sa ajo e Gramshit, gjithëfarë gjelash laramanë ia marrin avazit majë plehut të interesave të tyre mizerabël! Po edhe çfarë krenarie për rojet ushtarake që i neutralizuan tre individët e dyshuar për spiunazh!”, ka shkruar Edi Rama.

“Shërim të shpejtë të lënduarve dhe tani të presim zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje!”, ka përfunduar Rama.

U sulmuan me armë kimike nga rusët, kjo është gjendja e dy ushtarëve shqiptarë

Dy ushtarë shqiptarë të cilët ishin caktuar me detyrë për ruajtjen e Uzinës së Përpunimit të Armëve në Gramsh, kanë mbetur të plagosur mbrëmjen e sotme pasi janë përplasur fizikisht me 3 shtetas rusë, të dyshuar si agjentë.

Ushtarët shqiptarë kanë pikasur lëvizje të dyshimta tek 3 persona të cilët kanë tentuar të hyjnë fshehurazi në Uzinë, dhe janë afruar për t’i larguar.

Në momentin që janë afruar ka patur një përleshje fizike mes ushtarëve shqiptarë dhe tre rusëve, ku njëri prej tyre ka përdorur sprije dhe ka lënë të lënduar ushtarët shqiptarë.

Ushtarët kanë marrë dëmtime në sy, ndërsa raportohet se janë jashtë rrezikut për jetën.

Sulmi ndaj ushtarëve në Gramsh/ Shërbimi Informativ Shtetëror në alarm

Të tjera detaje janë zbuluar nga ngjarja e ndodhur në Gramsh, ku dy shtetasit rusë dhe gruaja ukrainase tentuan të hyjnë në Uzinën e Përpunimit të Armëve.

Burime bëjnë me dije se gjatë dy ditëve të mëparshme shtetasit rusë kanë bërë fotografime të uzinës nga larg.

Sipas tyre, rusët kanë bërë vëzhgim të imtësishëm më parë dhe ditën e sotme kanë tentuar të futen brenda.

Ndërkohë, burime bëjnë me dije se Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH) ka dyshime se shtetasit rusë dhe gruaja e ndaluar janë agjentë të shërbimeve sekrete ruse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat