​Policia e Shtetit: Të arrestuarit janë dy shtetas rusë 24 e 33 vjeç dhe një ukrainas 25-vjeç

Shqipëria

​Policia e Shtetit: Të arrestuarit janë dy shtetas rusë 24 e 33 vjeç dhe një ukrainas 25-vjeç

Më: 20 gusht 2022 Në ora: 23:17
Ilustrim

Policia e Shtetit shqiptar ka dalë me detaje lidhur me arrestimin e dy shtetasve rusë dhe një ukrainas, të cilët sonte sulmuan ushtarët shqiptarë derisa po tentonin të fotografin ambientet e zonës ushtarake në Gramsh.

Nga shërbimet e fabrikës ushtarake Çekin në Gramsh, është njoftuar se në afërsi të rrethimit të fabrikës është konstatuar një shtetas i paidentifikuar me aparat fotografik në dorë, i cili ka tentuar të fotografojë ambientet e zonës ushtarake.

Në momentin që dy ushtarakët që ruanin objektin, e kanë pikasur dhe i janë afruar ta ndalojnë dhe ta kapin, shtetasi i huaj iu është kundërpërgjigjur me sprej neuroparalizues, por dy ushtarakët që ruanin fabrikën kanë bërë të mundur neutralizimin e tij, thuhet në njoftimin e policisë.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë shoqërimin e shtetasit rus, M. Z. (24), në ambientet e Komisariatit të Policisë Gramsh, për veprime të mëtejshme.

Gjithashtu, shërbimet e policisë nga veprimet paraprake hetimore kanë marrë informacion se ky shtetas ishte shoqëruar edhe nga dy shtetas të tjerë dhe menjëherë kanë ngritur pika kontrolli dhe kanë kontrolluar zonën.

Shërbimet e Policisë bënë të mundur që në afërsi të kësaj zone të konstatojnë dhe të bllokojnë automjetin tip “Chevrolet”, me të cilin udhëtonin shtetasja ruse S.T. (33) dhe shtetasi ukrainas (F. A.) 25-vjeç, të cilët janë shoqëruar për veprime të mëtejshme.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj

Për këtë ngjarje janë angazhuar Departamenti i Policisë Kriminale dhe Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit dhe po koordinohen veprimet me Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Dy ushtarakët e dëmtuar pas ndihmës së parë mjekësore janë transportuar në Tiranë për ndihmë mjekësore më të specializuar dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën, përfundon komunikata e Policisë së Shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat