‘Rusëve u është sekuestruar dron’, gazetari jep detaje të reja për sulmin ndaj ushtarëve

Shqipëria

‘Rusëve u është sekuestruar dron’, gazetari jep detaje të reja për sulmin ndaj ushtarëve

Më: 21 gusht 2022 Në ora: 00:47
Endri Mema

Gazetari Endri Mema thotë se dy shtetasve rusë dhe shtetases ukrainase, u është sekuestruar nga Antiterrori, një dron me të cilin bënin foto te uzina ushtarake e Gramshit.

Në një intervistë për “Euronews Albania”, Mema u shpreh se ata kanë pasur informacione të sakta në lidhje me uzinën.

“Ata kanë pasur edhe një dron me të cilin kanë filmuar. Është sekuestruar nga Antiterrori. Ata kanë pasur njohuri të sakta për veprimtarinë e kësaj uzine, e cila së fundmi përveç demontimit dhe riparimit të armëve shqiptare, prodhon dhe municione të armëve të NATO-s. Këto janë me interes për palën ruse sepse një pjesë emadhe e armatimit shqiptar ka shkuar drejt Ukranës, si pjesë e ndihmës ushtarake”, theksoi gazetari.

Incidenti në Uzinën e Gramshit, ka ndodhur rreth orës 17:40 pasi roja ka vënë re lëvizje të dyshimta rreth objektit.

Menjëherë ai ka njoftuar përgjegjësin e rojeve se një person ka hyrë drenda territorit dhe ka tentuar të bëjë fotografi.

Të dy efektivët kanë zbatuar rregullat ushtarake me qëllim ndalimin e personit, duke i bërë fillimisht thirrje të ndalojë.

Pavarësisht thirrjes së rojes dhe përgjegjësit të ruajtjes së Uzinës, personi  ka tentuar të largohet, por falë reagimit të shpejtë të dy efektivëve është bërë ndalimi i tij.

Në këtë moment personi është kundërpërgjigjur duke përdoruar spray neoparalizues ndaj dy ushtarakëve për të shpëtuar, por dy rojet ushtarake kanë bërë ndalimin e tij.

Menjëherë pas njoftimit policia ka bërë shoqërimin e shtetasit rus, M. Z., 24 vjeç.

Ndërkaq janë vërejtur edhe dy persona të tjerë jashtë rrethimit të Uzinës, një femër dhe një mashkull që shoqëronin këtë shtetas.

Shërbimet e Policisë  bënë të mundur që në afërsi të kësaj zone të konstatojnë dhe të bllokojnë automjetin tip “Chevrolet”, me të cilin udhëtonin shtetasja ruse S.T. 33 vjeçe dhe shtetasi ukrainas F. A., 25  vjec.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat