“Erdhën me mision!”- Zbardhet dosja ndaj “spiunëve” rusë

Shqipëria

“Erdhën me mision!”- Zbardhet dosja ndaj “spiunëve” rusë

Më: 25 gusht 2022 Në ora: 09:56
Foto ilustrim

Prokuroria e Elbasanit këmbëngul që tre të rinjtë nga Rusia dhe Ukraina që u arrestuan në Gramsh, kanë ardhur për qëllime spiunazhi në Shqipëri.

Ndërsa bëhen publike akuzat që rëndojnë mbi ta, Prokuroria nuk ka publikuar dëshmitë e tre të arrestuarve, me pretendimin se përbërën sekret hetimor. “Nga pyetja e tyre deri në këtë fazë të hetimit ka rezultuar baza e arsyeshme e të dhënave që krijon dyshimin e bazuar në prova se kanë ardhur në Shqipëri me mision të rekrutuar nga shërbimet e inteligjencës ruse me detyra të përcaktuara”, thuhet midis të tjerash në dosje.

ÇFARË U SEKUESTRUA 

Në dosjen hetimore, një pjesë të së cilës e disponon edhe “Panorama”, tregohen materialet që janë sekuestruar, midis të cilëve edhe spraj neuroparalizuese apo pajisje që u shërbejnë atyre për të parë natën.

“Ndër të tjera u janë sekuestruar: 1 automjet ‘Chevrolet’ me targa AX 6200 IP; 2 dronë; sasi të konsiderueshme monetare, 1 pajisje vëzhgimi për shikueshmëri natën (nightvision); 1 laptop, karta sim; hardisk i jashtëm; 1 (një) copë fishek model 56, kalibër 7,62 mm dhe 1 (një) predhë fisheku arme zjarri kalibër 12.7 mm, dokumente identifikimi dhe udhëtimi; pajisje kampingu të ndryshme, 1 bombol e përdorur në formë spraj neuroparalizuese; 6 telefona celularë”, thuhet në dosje.

Sipas Prokurorisë së Elbasanit, në lidhje me sendet e sekuestruara janë kryer veprimet përkatëse të ekspertimit sipas objektit të tyre. Prokuroria e Elbasanit ka sekuestruar gjithashtu edhe pamjet e kamerave kur tre të arrestuarit kanë hyrë në Shqipëri.

“Janë këqyrur pamjet filmike të pikave të kalimit kufitar, në të cilat rezultojnë shtetasit e mësipërm në momentin e hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë”, thuhet më tej, pa specifikuar ndonjë detaj konkret, ndërsa më herët ka dalë në media se tre të rinjtë, të vetëquajtur “blogerë”, kanë hyrë nga tri pika të ndryshme kufitare.

ÇFARË THOTË PROKURORIA PËR NGJARJEN 

Në dokumentin zyrtar të Prokurorisë së Elbasanit, tregohet edhe kronologjia e ngjarjes pasditen e së shtunës së shkuar.

“Nga aktet e këtij procedimi rezulton se më datë 20.08.2022, rreth orës 17:35, nga ana e punonjësve të shërbimit, rojeve ushtarake të uzinës mekanike ushtarake Çekin, është njoftuar salla operative se në ambientet e rrethimit të brendshëm të këtij objekti është futur një shtetas i huaj, i cili pasi është konstatuar nga roja e shërbimit, është larguar nga magazinat duke kaluar muret rrethuese të uzinës.

Ky shtetas është ndjekur nga dy rojet e uzinës dhe në një distancë rreth 200 metra, larg objektit, në momentin që ata janë ofruar për ta ndaluar dhe shoqëruar këtë shtetasi, ai ka bërë rezistencë dhe ka nxjerrë një spraj, duke ua hedhur në fytyrë dhe në trup, me qëllim që të largohej nga ata. Me gjithë këto veprime, rojet kanë bërë të mundur neutralizimin e tij dhe e kanë mbajtur të bllokuar deri në momentin kur kanë ardhur shërbimet e komisariatit të policisë Gramsh”, thuhet në dosje.

Përveç tre të arrestuarve, në pyetje janë marrë edhe pesë persona të tjerë përfshirë dy rojet e uzinës së demontimit të armëve në Gramsh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat