“Inceneratorët, aferë kapilare”- Zogaj: S’mund të ketë gjueti shtrigash në Shqipëri!

Shqipëria

“Inceneratorët, aferë kapilare”- Zogaj: S’mund të ketë gjueti shtrigash në Shqipëri!

Më: 26 gusht 2022 Në ora: 18:10
Analisti Preç Zogaj

Analisti Preç Zogaj ka bërë një pasqyrim të situatës politike në Shqipëri, kjo edhe pas hetimeve të SPAK për Ilir Metën. Për Zogajn, SPAK duhet të hetojë zyrtarë të lartë, ndërsa u ndal tek inceneratorët tha se ka marrë statusin e aferës kapilare.

Ai u shpreh se në Shqipëri nuk mund të ketë gjueti shtrigash, ndërsa theksoi se SPAK ka ligjin e vet që e udhëheq dhe nuk mund të ndërsehet nga askush.

“SPAK duhet të lëvizë shumë më shpejt për të thelluar hetimin për inceneratorët. Është një nga megaskandalet, megaaferat korruptive të tranzicionit në Shqipëri që ka ngritur krimin në një stad të epërm, me një përhapje kapilare në gjithë shoqërinë. Pra ka statusin e aferës kapilare nga maja deri në fund.

SPAK nuk mund të ndërsehet, SPAK ka ligjin që e udhëheq në punën e vet. Nuk është një njeri, janë disa prokurorë që kanë çështjet. Por nuk mund të ketë gjueti shtrigash në Shqipëri. Është më mirë të hetohen akuzat sesa të lihen në shamatoren publike. Vendi është i hapur, është nën vëzhgimin e mediave dhe faktorit ndërkombëtar. Nëse ka diçka tendencioze do ketë edhe opinion që do ngrihet. Me këtë argument askush nuk do pranojë që të ketë koka turku. Shqipëria nuk ka bërë hetime të zyrtarëve politike. Shqipëria e ka tepruar duke mos dënuar asgjë”, tha Zogaj në një intervistë për News24.

Sipas tij, SPAK ka hetime intensive për zyrtarë të lartë të mazhorancës, që shumë shpejt do të bëhen edhe publike.

“Ky SPAK ka çuar prapa hekurave tre ish zyrtarëve të shumicës, gjë që nuk ka ndodhur më parë. Kjo është një gjë e pamjaftueshme, por është një hap. Është bërë një padi për Ilir Metën, nga një ish deputet, e ka marrë SPAK dhe ta hetojë. Pse mos ta hetojë?! Ilir Meta është një zyrtar i lartë. Në dijeninë time ka hetime intensive për zyrtarë të lartë të mazhorancës që së shpejti do jenë publike. Nëse SPAK dhe drejtësia nuk godet korrupsionin e qeverisë në fuqi, bilanci i saj ka një pikëpyetje. Por kjo nuk do të thotë që ne ti rrime me shkop në dorë rasteve kur hetohen ish zyrtarë apo ish politikanë që mishërojnë historinë e tranzicionit”, theksoi ndër të tjera Preç Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat