​Rama për marrëveshjen mbi dokumentet: Uroj që ky zhvillim ta çojë dialogun në një nivel të ri

Shqipëria

​Rama për marrëveshjen mbi dokumentet: Uroj që ky zhvillim ta çojë dialogun në një nivel të ri

Më: 27 gusht 2022 Në ora: 19:42
Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka mirëpritur arritjen e marrëveshjes për dokumentet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se shpreson që ky zhvillim ta çojë procesin dialogun në një nivel të ri.

“Lajm i bukur zgjidhja me dialog e çështjes së lëvizjes së lirë mes Serbisë e Kosovës, e bashkë me urimet për të dy palët uroj që ky zhvillim ta çojë dialogun në një nivel të ri, për të mos humbur kohë dhe energji pafund në arritjen e gjërave kaq thjeshtësisht logjike sa kjo sot”, ka shkruar Rama në Twitter.

Ndryshe, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell ka bërë të ditur se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për dokumentet identifikuese.

Ai ka thënë se Serbia ka vendosur të pranojë dokumentet kosovare, me këtë rast duke u hequr pengesat për lëvizje të lirë për kosovarët.

“Sipas dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e letërnjoftimeve të Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e letërnjoftimeve serbe”, ka shkruar Borrell.

“Serbët e Kosovës, si dhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre. BE sapo mori garanci nga kryeministri Kurti për këtë. Kjo është një zgjidhje evropiane. Ne i përgëzojmë të dy liderët për këtë vendim dhe udhëheqjen e tyre”, ka shtuar ai.

Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë detaje të kësaj marrëveshjeje, por ka bërë të ditur se ato do të jepen me kohë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat