​Berisha për marrëveshjen: Hap i rëndësishëm për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi

Shqipëria

​Berisha për marrëveshjen: Hap i rëndësishëm për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi

Më: 27 gusht 2022 Në ora: 19:55
Sali Berisha

Kryetari i PD-së Sali Berisha ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes për dokumente Kosovë-Serbi, duke thënë se ajo paraqet një hap të rëndësishëm në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Në një postim në Facebook, Berisha uron që mbi bazën e parimeve të barazisë dhe reciprocitetit, Kosova dhe Serbia të zgjidhin me sukses problemet e tjera të mëdha midis dy vendeve.

“Vetëm një Ballkan i vendeve sovrane dhe të barabarta do të mund të jetë një rajon paqe, stabiliteti dhe integrohet i sigurt në BE”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

Të dashur miq, Kosova dhe Serbia ranë dakord për zgjidhjen e problemit të dokumenteve bazuar mbi parimin e barazisë dhe reciprocitetit të kërkuar nga qeveria e Kosovës, d.m.th njohjen respektive të dokumenteve të njëra-tjetrës dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Partia Demokratike ka mbështetur pa lëkundje zgjidhjen e këtij problemi të krijuar nga pala serbe mbi bazën e reciprocitetit dhe barazisë midis palëve.

Me këtë rast, Partia Demokratike, duke vlerësuar lart kontributin e të deleguarve të veçantë per dialogun Kosovë-Serbi të BE dhe SHBA, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Eskobar, si dhe të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s (Jens) Stoltenberg përshëndet arritjen e kësaj marrëveshje si një hap i rëndësishëm në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe uron që mbi bazën e parimeve të barazisë dhe reciprocitetit, parime universale në marrëdhëniet midis vendeve, Kosova dhe Serbia të zgjidhin me sukses problemet e tjera të mëdha midis dy vendeve.

Vetëm një Ballkan i vendeve sovrane dhe të barabarta do të mund të jetë një rajon paqe, stabiliteti dhe integrohet i sigurt në BE. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat