Në Velipojë zhvillohet festivali i parë i skulpturës në rërë

Shqipëria

Në Velipojë zhvillohet festivali i parë i skulpturës në rërë

Më: 28 gusht 2022 Në ora: 00:32
Velipojë

Festivali i skulpturës në rërë u zhvillua në plazhin e Velipojës, ndërsa bashkoi për tre ditë me radhë skulptorë nga Shqipëria, Kosova, Kroacia, Greqia, Bullgaria dhe Letonia.

Ky është festivali i parë i këtij lloji që zhvillohet në Shqipëri dhe që synon nxitjen dhe promovimin e turizmit kulturor.

“Velipoja është një nga perlat e Shqipërisë dhe meriton pak vëmendje. Dhe, instrumenti i vetëm për të sjellë vëmendjen në Velipojë mund të ishte një festival arti, që nuk ishte bërë më përpara. Ky ishte edhe qëllimi pse u organizua këtu. Pastaj, duke parë gjithë këto hapësira publike të pashfrytëzuara, mund të them edhe të paorganizuara ashtu siç duhet, mënyra më e mirë që t’i ridimensionojmë këto hapësira është që t’i kthejmë në art”, thotë Beskida Kruja, organizatore e festivalit.

Për tre ditë me radhë skulptorë profesionistë dhe amatorë realizuan në plazhin e Velipojës punimet e tyre në rërë duke sjellë një përvojë të re në plazhet e vendit.

Motive të tilla si Nënë Tereza e skulptores nga Bullgaria, gjurmë në bregdet e skulptorit nga Kroacia dhe gruaja zadrimore e skulptorit nga Tirana evidentuan atmosferën që sjell skulptura e rërës në plazhe.

Skulptorja nga Letonia, Savita Ravina, thotë se është hera e parë që ajo viziton Shqipërinë dhe se e ka tërhequr idea e realizimit në bregdetin e Velipojës të një festivali të skulpturës në rërë, e cila, siç thotë ajo, sjell një atmosferë të veçantë mes pushuesve:

“Unë kam udhëtuar shumë në të gjithë botën duke bërë disa projekte në rërë apo në akull. Kam marrë pjesë në disa festivale të tilla, por këtu në Shqipëri është hera e parë dhe është një eksperiencë e re për mua. Jam duke bërë në rërë fytyrën e një fëmije, sepse unë kam vetë fëmijë dhe ai më frymëzon mua çdo ditë. Fëmijët janë të ëmbël, tërheqës dhe unë po bëj shprehje të ndryshme të fytyrës, kur janë të mërzitur, të përgjumur, të lumtur, diçka të tillë”, thotë ajo.

Ndryshe nga skulptorët që vijnë nga vende të tjera të Europës, skulptorët nga Kosova dhe Shqipëria, që morën pjesë në festivalin e skulpturave në rërë në plazhin e Velipojës, nuk kanë një përvojë të mëparshme për realizimin e skulpturave në rërë. Megjithatë, ata thonë se kjo ishte një përvojë e vlefshme dhe relaksuese.

Skulptori nga Tirana, Ardjan Pepa, ka realizuar portretin e një gruaje zadrimore, duke dashur t’i përshtatet atmosferës së bregdetit të Velipojës si dhe motiveve tradicionale të zonës. Ai thotë se është interesante dhe e vlefshme të punosh bashkë me skulptorë të tjerë nga Europa, pasi ata kanë përvojë në realizimin e skulpturave në rërë.

“Unë po shikoj shumë njerëz që janë të interesuar. Ka një lloj atraksioni, sepse plazhi i Velipojës është ndër plazhet më të bukura në Shqipëri. Duket se është lënë pak mbas dore por, duke organizuar festivale të tilla, fillon dhe merr një vëmendje më të madhe”, thotë ai.

Organizatorja e festivalit, Beskida Kruja, e shikon të suksesshëm edicionin e parë të festivalit të skulpturave në rërë, i cili, siç thotë ajo, solli një përvojë të re për artistët dhe pushuesit.

Është vetëm fillimi dhe ajo shpreson që festivali të shndërrohet në një traditë të vlefshme, jo vetëm për artistët, por edhe vetë pushuesit e bregdetit shqiptar./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat