Leskaj plas skandalin: Pse KESH nuk listohet në bursë

Shqipëria

Leskaj plas skandalin: Pse KESH nuk listohet në bursë

Më: 28 gusht 2022 Në ora: 13:44
Foto ilustrim

Deputeti Bujar Leskaj shkruan në Facebook se ‘Korporata Elektroenergjetike Shqiptare(KESH) është e vetmja korporatë shtetërore nga vendet e rajonit tonë, ende e palistuar në Bursën e energjisë elektrike HUDEX të Budapestit’.

Ai shton më tej se në rast se KESH do të ishte një korporatë e listuar në bursë, energjinë do të mund ta siguronte me të paktën 120-140 euro/MËh më pak dhe për një periudhë afatgjatë.

Postimi i Leskajt:

Me vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 22 tetor 2021 “Për miratimin e kushteve për vendosjen e detyrimit të shërbimit publik ndaj të licencuarve në sektorin e energjisë elektrike gjatë gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike dhe për përballimin e parandalimin e saj”, sekti Rama bëri gjasme se do të siguronte kontrata afatgjata për blerjen e energjisë, për të arritur me këto kontrata çmime më të favorshme. Sigurimi i kontratave afatgjata të energjisë deri në 3 vjet ishte një nga pikat kryesore të këtij vendimi, në kuadër të emergjencës së furnizimit me energji, të shpallur nga Lideri Global plot ditirambe, duke e paraqitur veten si shpëtimtari i shqiptarëve nga apokalipsi i errësirës. Në fakt, kaluan më shumë se nëntë muaj dhe sekti në pushtet asnjë kontratë të tillë afatgjatë nuk ka siguruar!  

Kontratat afatgjata zakonisht përfundohen në bursat ndërkombëtare të energjisë. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare(KESH)  është e vetmja korporatë shtetërore nga vendet e rajonit tonë, ende e palistuar në Bursën e energjise elektrike HUDEX të Budapestit.  Në rast se KESH do të ishte një korporatë e listuar në bursë, energjinë do të mund ta siguronte me të paktën 120-140 euro/MËh më pak dhe për një periudhë afatgjatë.

Sipas specialistëve të fushës, KESH nuk ndalet së bëri tendera gati në baza ditore, duke shpenzuar dhjetra milionë euro, gjoja për emergjencën energjitike. Në fakt, blerjet nga importi po bëhen shumë më lart nga çmimi i rregulluar i tregut në bursë dhe me klientë furnizues që i zgjedh vetë KESH.

Brenda 3 ditësh në gusht, KESH ka kryer 2 procedura për blerjen e energjisë elektrike, ndërkohë që çmimi me të cilin është siguruar sasia më e madhe është 74 euro për megavat/orë më i lartë. Fillimisht hapi një tender, përmes të cilit bleu mbi 10 mijë megavat/orë, me një çmim mesatar 408.4 euro megavati. Ndërkohë që dy ditë më vonë kreu një tjetër procedurë blerjeje për mbi 50 mijë megavat/orë, me një çmim mesatar prej 482.3  euro megavati.

Në total, për këto 2 blerje, sekti në pushtet ka shpenzuar 28.6 milionë euro nga paratë e shqiptarëve, ndërsa deri tani, vetëm për muajin gusht, fatura shkon mbi 46 milionë euro.

Blerja e energjisë me baza ditore apo javore dhe pa kaluar në bursën ndërkombëtare më të afërt të energjisë elektrike, në bursën e Budapestit, rëndon buxhetin e shtetit, duke u kushtuar taksapaguesve shqiptarë me dhjetëra milionë euro më shumë.

Sipas shifrave të publikuara nga vetë KESH, fatura e këtij viti e blerjeve të energjisë, me shitës që paracaktohen nga KESH, së bashku me 2 blerjet e fundit për gushtin, shkon në 235.6 milionë euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat