Me 181 km/h, gjobiten 645 shoferë, u pezullohet leja e drejtimit 45 prej tyre!

Shqipëria

Me 181 km/h, gjobiten 645 shoferë, u pezullohet leja e drejtimit 45 prej tyre!

Më: 28 gusht 2022 Në ora: 15:25
Foto ilustrim

Gjatë orëve të fundit janë gjobitur 645 shoferë për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit rrugor.

Në një njoftim për mediat, policia njofton se janë pezulluar 45 leje drejtimi për parakalim të gabuar dhe shpejtësi që arrinin deri në 181 km/h.

SHkeljet janë konstatuar kryesisht në autostradat Tiranë-Elbasan, Fier-Vlorë dhe Tiranë-Durrës.

Gjithashtu policia i bën apel shoferëve që të mos udhëtojnë me shpejtësi që të kujdesen për jetën e tyre.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Mos shpejtoni të arrini aksidentin, por kujdesuni për jetën dhe shëndetin! Udhëtoni me jetën në mendje dhe mos fluturoni me shpejtësi që variojnë nga 171 km/h deri në 181 km/h, në akset rrugore nga Tirana në Vlorë.

Në të gjitha rrugët e vendit e veçanërisht në ato në drejtim të zonave bregdetare, vijon fluksi i lartë i automjeteve. Policia Rrugore ka shtuar masat, duke rritur prezencën e saj në rrugë, si në burime njerëzore ashtu edhe në teknologji bashkëkohore.

Në të gjitha rrugët e vendit janë duke patrulluar, me qëllim monitorimin e qarkullimit, 11 makina inteligjente dhe 16 radarë automatikë. Njëkohësisht, në disa segmente të cilësura njolla të zeza janë vënë në përdorim edhe dronët, për të parandaluar dhe ndëshkuar parakalimet e gabuara që shpesh janë kthyer në burim për përfshirje në ngjarje rrugore.

Përgjatë paradites së sotme, nga Morina në Sarandë, janë konstatuar shkelje në drejtim të tejkalimit të normave të shpejtësisë që varionin nga 171 km/h deri në 181 km/h, kryesisht në autostradat “Tiranë – Elbasan”, “Tiranë – Durrës”, “Fier – Vlorë” etj. Janë konstatuar parakalime të gabuara, përdorim i celularit gjatë drejtimit të mjetit dhe mosvendosje e rripit të sigurimit apo e kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve.

Janë pezulluar 45 leje drejtimi për shpejtësi tej normave të lejuara dhe janë vendosur 645 masa administrative në total, për parakalime të gabuara, për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, për mosvendosje të rripit të sigurimit apo të kaskës mbrojtëse etj.

Policia Rrugore apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor që të arrini në destinacion të sigurtë.

Mos qarkulloni me shpejtësi që cenon sigurinë e jetës në rrugë, mos drejtoni mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, mos kryeni parakalime të gabuara, mos përdorni celularin gjatë drejtimit të mjetit, vendosni rripin e sigurimit dhe/apo kaskën mbrojtëse dhe qëndroni në radhë kur ka ngadalësim të lëvizjes, pasi fluksi i automjeteve në drejtim të zonave bregdetare dhe anasjelltas, është shumë i lartë.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat