Moody’s rikonfirmon vlerësimin e Shqipërisë “B1 – me perspektivë të qëndrueshme”

Shqipëria

Moody’s rikonfirmon vlerësimin e Shqipërisë “B1 – me perspektivë të qëndrueshme”

Më: 1 shtator 2022 Në ora: 08:24
Moody’s

Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kredibilitetit (credit rating agency) Moody’s rikonfirmon vlerësimin aktual të Shqipërisë, “B1 – me perspektivë të qëndrueshme”, në rishikimin më të fundit, ndërsa parashikon me ulje rritjen ekonomike për vitin 2023, në vetëm 2.5%. Agjencia vlerëson se rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë ishte e fortë dhe Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) arriti nivelet e parapandemisë që në vitin 2021.

Shpërthimi i koronavirusit ndikoi rëndë në performancën ekonomike në vitin 2020. Megjithatë, stabiliteti makroekonomik u ruajt. Tkurrja ekonomike gjatë 2020 ishte më e butë (me recension prej 3.5%) dhe rimëkëmbja në 2021 më e fortë se sa pritej fillimisht (me rritje reale prej 8.5%). Agjencia ka rishikuar për lart parashikimin e saj për rritjen reale ekonomike të vitit 2022 në 3.8% (nga 3.4% që ishte parashikimi i mëparshëm në fillim të Prillit), por ka rishikuar për poshtë parashikimin e rritjes për vitin 2023 në 2.5% (nga 3.6% që ishte parashikimi i mëparshëm).

Ndërsa ecuria e PBB vijoi të tregojë një vrull të fortë në tremujorin e parë të 2022 me rritje prej 6.0% nga viti në vit, agjencia parashikon që rritja ekonomike të ngadalësohet në pjesën e mbetur të 2022 dhe 2023. Rritja e çmimeve të produkteve energjetike dhe kostove të inputeve krijojnë presione të larta të vazhdueshme inflacioniste duke rezultuar në një kërkesë të brendshme më të dobët. Edhe rritja ekonomike më e ulët në vendet të cilat janë destinacionet kryesore të eksportit shqiptar pritet të ketë një ndikim frenues në rritjen ekonomike.

Agjencia vëren se parashikimet ekonomike dhe fiskale vijojnë të rrethohen nga një paqartësi e lartë për shkak të konfliktit të vazhdueshëm ushtarak Rusi-Ukrainë dhe rrezikut të një përshkallëzimi dhe/ose zgjerimi të mëtejshëm të konfliktit. Agjencia parashikon që inflacioni i çmimeve të konsumit të mbetet i lartë në pjesën e mbetur të vitit 2022 dhe më pas të zbutet në 3.5% në fund të vitit 2023. Për vitin 2022 dhe 2023, inflacioni mesatar i çmimeve të konsumit parashikohet përkatësisht në 6.7% dhe 4.0%, pas 2.1 % në 2021.

Agjencia vlerëson se borxhi i qeverisë së përgjithshme (duke përfshirë garancitë) arriti kulmin në 74.5% të PBB në 2020 dhe u ul sërish në 73.2% të PBB në 2021. Raporti i borxhit ndaj PBB për vitin 2021 ishte 7.4 pikë përqindje mbi nivelin e tij të 2019.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat