KLSH zbulon dëmin ekonomik prej 724 milionë lekësh në administratën shtetërore

Shqipëria

KLSH zbulon dëmin ekonomik prej 724 milionë lekësh në administratën shtetërore

Më: 4 shtator 2022 Në ora: 11:46

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbardhur shkeljet në gjashtë muaj në administratën shtetërore duke llogaritur një dëm ekonomik prej 724 milionë lekësh, ose e thënë ndryshe në rreth 6.8 milionë euro.

Kjo shifër është rezultat i 54 auditimeve si në ministri , bashki apo dhe në institucionet e varësisë.

Vetëm në fushën e shitblerjeve të pronës publike janë konstatuar 4 milionë euro dëm ekonomik. Ndërsa për investimet shkeljet prekin shifrën e 207 milionë lekësh ose 1.7 milionë euro.

Abuzimet në këtë fushë janë si gjatë  zhvillimit të procedurave të prokurimit, ku kryeministri ka kërkuar që ‘të mos veprohet me kritere të qepura si kostume me porosi’, ashtu edhe në fazën e zbatimit të kontratave dhe dorëzimit të punimeve.

Shkeljet në zbatimin e kontratave konstatuar për 20 subjekte, kanë sjellë dëm ekonomik në buxhetin e shtetit në masën 192 milionë lekësh.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në gjashtë muaj ka evidentuar shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e administrimit të të ardhurave, shpenzimeve dhe në përdorimin e fondeve publike në vlerën totale 31 miliardë lekësh nga të cilat: 14,7 miliardë lekë në fushën e të ardhurave dhe të tjerat janë në fushën e shpenzimeve të kryera jo me eficiencë, keqmenaxhimin e fondeve të programuara apo mungesë kontrolli në realizimin e procedurave të prokurimit jo në përputhje me kuadrin ligjor.

Në total për këto shkelje është kërkuar ndëshkimi me masë disiplinore, si largim nga puna, vërejtje apo edhe mbajtje e pagës për rreth 300 punonjës, e po ashtu dhe rikthimi në buxhetin e shtetit për një fond prej 6.8 milionë eurosh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat