Cigare, ilaçe, vaj dhe goma makinash në autobus! Arrestohet 37-vjeçari i cili transportonte mallra nga Greqia në Shqipëri

Shqipëria

Cigare, ilaçe, vaj dhe goma makinash në autobus! Arrestohet 37-vjeçari i cili transportonte mallra nga Greqia në Shqipëri

Më: 16 shtator 2022 Në ora: 16:35
Foto ilustrim

Një 37-vjeçar është arrestuar nga policia e Gjirokastrës në pikën kufitare të Kakavijës pasi në autobusin me të cilin udhëtonte, po transportonte mallra kontrabandë.

Policia ka vendosur në pranga shtetasin me iniciale E.G. banues në Fier, teksa drejtonte një autobus të linjës Athinë-Tiranë.

Nga kontrolli, policia ka gjetur dhe sekuestruar mallra të ndryshme ushqimore dhe të tjera si vaj makinash, goma makinash, 20 pako cigare dhe dy kuti me ilaçe.

Të gjitha mallrat e gjetura nuk kishin dokumentacion përkatës.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Operacioni policor i koduar “Midnight”, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me DVKM Gjirokastër.

Sekuestrohen mallra të ndryshme ushqimore dhe industriale, të kontrabanduara. Vihet në pranga drejtuesi i autobusit, i cili transportoi mallrat kontrabanduara, nga Greqia për në Shqipëri.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me DVKM Gjirokastër dhe Seksionin Operacional në DVP Gjirokastër, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave të ndryshme, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Midnight”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

– E. G., 37 vjeç, banues në Fier.

Në hyrje të RSH-së, në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavije, shërbimet e Policisë kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë, një autobus të linjës Athinë-Tiranë, me drejtues shtetasin E. G.

Nga kontrolli i ushtruar në bagazhin e autobusit u gjetën mallra të ndryshme ushqimore dhe industriale (37 goma makinash, 200 litra vaj makinash, 5 thasë me konfeksione, 20 pako cigare, 2 kuti me medikamente mjekësore, etj), të cilat ishin të pashoqëruara me dokumentacionin përkatës.

Materialet në ngarkim të shtetasit E. G. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Kontrabanda me mallra për të cilët paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës” dhe “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat