“Nëse më dëboni, më rrezikohet jeta”- Pasi u ndalua në Rinas kërkoi azil politik, deportohet në atdhe gazetari turk

Shqipëria

“Nëse më dëboni, më rrezikohet jeta”- Pasi u ndalua në Rinas kërkoi azil politik, deportohet në atdhe gazetari turk

Më: 18 shtator 2022 Në ora: 10:51
Foto ilustrim

Gazetari Ahmet Emre Olur është ekstraduar në atdhe, pasi u kap në aeroportin e Rinasit. Olur kërkoi azil politik në Shqipëri, por kërkesa iu refuzua.

Lajmi për deportimin konfirmohet nga avokatja e gazetarit turk, raporton News24.

Ahmet Emre Olur kishte qëndruar për dy vitet e fundit në vendin tonë dhe u ndalua në aeroportin e Rinasit për shkak se i kishte mbaruar leja e qëndrimit.

Ai u shoqërua në komisariatin e Rinasit ku kishte kërkuar azil politik për shkak se “dëbimi i tij nga Shqipëria mund t’i rrezikojë jetën në vendin e origjinës për shkak të bindjeve politike”.

Pretendimet se i rrezikohet jeta

Me profesion gazetar, Olur pretendon se është shpallur në kërkim nga Turqia pasi ka bërë disa kronika kundër qevrisë në Ankara.

Shqetësimi ngrihet nga avokatët e tij Arben Llangozi dhe Orgesa Serani, ku përmes një letër dërguar Ministrisë së Brendshme shprehin shqetësimin e familjarëve të gazetarit për ndalimin në aeroportin e Rinasit dhe rrezikun që vjen nëse ai dëbohet drejt Turqisë.

“Nga kontaktet që kemi pasur me familjarët na kanë thënë se nuk është i vërtet fakti se ky shtetas ka qëndruar në Shqipëri jashtë afateve ligjore. Sipas kontakteve që kemi pasur na është thënë se shtetasit Ahmet Emre Olur me numër pasaporte U14867557 me origjinë shtetas Turk i rrezikohet jeta nëse do të dëbohej nga vendi ynë drejt vendit të origjinës dhe ky fakt do të ndodh në bazë të bindjeve politike të tij. Dhe njëkohësisht ka shfaqur vullnetin që të kërkoj azil politik në shtetin Shqiptar.

Bazuar në ligjin me  Nr. 10/2021 “Për  Azilin në  Republikën e  Shqipërisë”, në nënin 2 të tij përcaktohet qartë se  ky ligj zbatohet për të gjithë shtetasit e huaj dhe personat pa shtetësi, të cilët kanë deklaruar qëllimin për të paraqitur kërkesë për mbrojtje ndërkombëtare në territorin e Republikës së Shqipërisë, për aq kohë sa atyre u lejohet të qëndrojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë si kërkues për mbrojtje ndërkombëtare, si dhe për anëtarët e familjes së tyre.

Njëkohësisht bazuar në Neni 5  të ligjit me  Nr. 10/2021 “Për  Azilin në  Republikën e  Shqipërisë” , e drejta për azil Republika e Shqipërisë garanton të drejtën për azil të shtetasit të huaj ose personit pa shtetësi, i cili ndodhet jashtë vendit të shtetësisë së vet ose jashtë vendbanimit të zakonshëm të mëparshëm dhe nuk ka mundësi ose dëshirë të kërkojë mbrojtjen e atij vendi për shkak të frikës së bazuar për të qenë i persekutuar për arsye të racës, të besimit fetar, të kombësisë, të anëtarësisë në një grup të caktuar shoqëror ose të bindjes politike.

Për sa më sipër kërkojmë nga ana Ministrisë së Brendshme,  Komisariatit të policisë  Rinas, Drejtorisë së Policisë Tiranë, Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të zbatohet në mënyrë objektive ligjin me  Nr. 10/2021 ‘Për  Azilin në  Republikën e  Shqipërisë’”, thuhet në shkresën e zyrtare.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat