PD drejt bashkimit? Çfarë deklaron grupi i Alibeajt

Shqipëria

PD drejt bashkimit? Çfarë deklaron grupi i Alibeajt

Më: 10 tetor 2022 Në ora: 15:38
Gazment Bardhi

Dora e shtrirë e Sali Berishës për deputetët që mbështesin Enkelejd Alibeajn duket se ka dhënë sinjalet e para në kampin blu. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka mandatuar Gazment Bardhi për të kontaktuar çdo mundësi bashkëpunimi dhe daljes në zgjedhje lokale me një kandidat të vetëm të PD dhe opozitës.

Pas diskutimeve në Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike, deputetët në mënyrë unanime shprehën vullnetin për të gjetur format e duhura të bashkëpunimit për zgjedhjet lokale fillimisht duke nisur me të gjithë Partinë Demokratike dhe me çdo faktor opozitar. Sipas grupit të Alibeajt, zgjidhje e vetme për tu përballur me regjimin e Edi Ramës në zgjedhjet lokale është bashkimi i çdo zëri opozitar dhe përballja me një kandidat të vetëm të PD dhe opozitës në zgjedhje.

Nga ana tjetër në dakordësi të plotë me Partinë e Lirisë të Ilir Metës, pas reformës territoriale, Berisha i shtriu dorën edhe njëherë Alibeajt për të propozuar një kandidat të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme të 2023.  Ka qenë vetë kryedemokrati, i cili konfirmoi nisjen e negociatave jo vetëm për reformën territoriale, por edhe daljen si një trupë e bashkuar në zgjedhjet lokale përballë të vetmit kundërshtar që thotë se ka, Kryeministrin Rama.

Ashtu sikurse edhe më herët, Berisha ‘ka zbutur gjuhën’ me Alibeajn për të bashkuar forcat edhe në zgjedhjet vendore. Edhe pse me sugjerimet me Presidentin Begaj, Rithemelimi dhe Partia Demokratike e Alibeaj nuk patën një dakordësi, sërish Berisha nuk ngurroi të kërkonte bashkëpunimin e atij që dikur e quante ‘AliBasha’. Berisha i bëri thirrje deputetëve demokratë që të garojnë apo mbështesin një  kandidat, duke përjashtuar prerazi nga ky proces vetëm Lulzim Bashën.

Daljen me një kandidat të përbashkët të opozitës në zgjedhje e sheh si çelësin e fitores në betejën elektorale të radhës, qëndrim të cilin parimisht konfirmoi se e kishte ndarë edhe me kryetarët e partive aleate, me të cilët prej disa ditësh ka nisur takimet. Kryedemokrati tha se ditët në vijim krahas negociatave brenda kampit blu, do të vijojë takimet edhe me partitë e tjera jo parlamentare.

DEKLARATË E GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE:

Pas diskutimeve në Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike, deputetët në mënyrë unanime shprehën vullnetin e plotë dhe të sinqertë për të gjetur format e duhura të bashkëpunimit për zgjedhjet lokale fillimisht duke nisur me të gjithë Partinë Demokratike dhe me cdo faktor opozitar.

Në vlerësimin e Grupit Parlamentar të PD zgjidhje e vetme për tu përballur me regjimin e Edi Ramës në zgjedhjet lokale është bashkimi i cdo zëri opozitar dhe përballja me një kandidat të vetëm të PD dhe opozitës në zgjedhje.

Me qëllim diskutimin e cdo mundësie të sinqertë për bashkëpunim, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka mandatuar zotin Gazment Bardhi për të kontaktuar dhe për të hulumtuar cdo mundësi bashkëpunimi dhe daljes në zgjedhje lokale me një kandidat të vetëm të PD dhe opozitës.

Grupi Parlamentar i PD shpreh gadishmërinë për të nisur që sot nga puna për të gjetur modalitetet e bashkëpunimit mes demokratëve në zgjedhjet lokale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat