“I mora borxh makinën dhe…”- Gjurmët e gishtit të tij u gjetën në kutinë e pistoletës, zbardhet dëshmia e Fatjon Muratit

Shqipëria

“I mora borxh makinën dhe…”- Gjurmët e gishtit të tij u gjetën në kutinë e pistoletës, zbardhet dëshmia e Fatjon Muratit

Më: 10 tetor 2022 Në ora: 18:26
Foto ilustrim

Policia e Tiranës shoqëroi mbrëmjen e së shtunës tre persona, Indrit Doklen, Gentjan Reçin dhe Fatjon Muratin, të cilët u kapën teksa lëviznin në Tiranë me një automjet të blinduar.

Ndërsa dy të parët u lanë të lirë, Fatjon Murati ndodhet në burg për akuzat për armëmbajtje pa leje. Ai dyshohej se ishte bashkëpunëtor i Kristian Gjinit, i cili u arrestua në korrik të këtij pas zbulimit të një arsenali armësh në kryeqytet.

Mësohet se gjurma e gishtit e Fatjon Muratit është gjetur në një kuti pistolete që u gjet në bazën me armë më 13 korrik në Tiranë.

Mjeti i blinduar ku udhëtonin Indrit Dokle, Gentjan Reçi dhe Fatjon Murati u ndalua nga një patrullë policie dhe u është kërkuar mjeti i identifikimit. Pas verifikimeve ka rezultuar se Fatjon Murati ishte shpallur në kërkim për bazën e armatimeve, ndërsa në mjetin e blinduar të Dokles raportohet se nuk është gjetur asnjë send i paligjshëm.

Sipas dëshmisë së siguruar nga Ora News, Fatjon Murati ka mohuar të ketë lidhje me arsenalin e armëve të gjetura.

Ai ka thënë se armët nuk janë të tij dhe nuk ka dijeni se si gjurma e gishtit të tij ndodhej në një prej kutive të pistoletave, duke dhënë edhe një version të tijin.

“…armët nuk janë të miat dhe s’kam asnjë lidhje me to. Jam i paqartë se në çfarë rrethana është ndodhur gjurma ime e gishtit në një prej kutive, ku mbahej pistoleta, por jam i bindur se gjithçka është aksidentale. Unë kam njohje me të arrestuarin Kristjan Gjini, dhe para disa kohësh këtij personi ja kam marrë borxh makinën. Makinën në pjesën e pasme të saj, e kam pastruar duke hequr disa kuti letre, por pa e ditur se çfarë kishte brenda tyre. Besoj shumë, se ky ka qenë momenti ku mund të kem lënë shenjën e gishtit në kutinë e gjendur në banesën e Kristjan Gjinit…”, ka dëshmuar Fatjon Murati para hetuesve.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat