Dashamir Shehi tregon formulën që i ka propozuar Berishës për përcaktimin e kandidatëve për zgjedhjet lokale

Shqipëria

Dashamir Shehi tregon formulën që i ka propozuar Berishës për përcaktimin e kandidatëve për zgjedhjet lokale

Më: 10 tetor 2022 Në ora: 20:24
Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi dhe Sali Berisha

Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi ka zbardhur disa diskutime që janë zhvilluar mes PD-së dhe partive aleate rreth një javë më parë përsa i përket zgjedhjeve lokale.

Shehi thotë se aleatët i kanë propozuar PD-së që çdo parti të sjellë një kandidat të saj, të cilët më pas do i nënshtrohen një sondazhi.

Përsa i përket procesit të primareve që kërkon të zhvillojë Berisha, Shehi tha në një intervistë për Abc News se ai është procesi i tyre i brendshëm për të nxjerrë kandidatët.

Pyetje: Jeni takuar me zotin Berisha ju dhe aleatët e tjerë të PD, ka specifika për të cilat jeni dakordësuar?

Shehi: Ne jemi takuar para një jave. Them që kemi bërë një gjysmë pune, kemi rënë dakord për disa gjëra. E vetmja mënyrë është të dalim me një kandidat më vete, në proporcional të dalim secila parti më vete. Kemi rënë dakord se kush na puq, që është lufta kundër qeverisë, kundër autokracisë së Ramës, na puq po ja mbërritëm që është dhe elementi më dinamik, kandidati i vetëm. Për gjëra të tjera nuk puqemi shumë ne, por mendoj se këto janë të mjaftueshme.

Pyetje: Kur flasim për kandidat të përbashkët, çfarë fitoni ju?

Shehi: Formula që i kemi propozuar ne është që çdo parti të sjellë kandidatët e vet dhe ata t’i nënshtrohet një sondazhi.

Pyetje: PD po bën primare, dhe po i bën për kandidaturat e veta?

Shehi: PD t’i bëjë primaret, uroj t’i bëjë mirë, por ata janë të PD-së, bile vetëm të pjesës së foltores, por është e pamjaftueshme të fitojë zgjedhjet, dhe ne na duhet një kandidat që shkon përtej PD-së.

Pyetje: Por si do bëhet ndarja?

Shehi: Berisha të bjerë 100. Ne po them që në Tiranë t’i nënshtrohet sondazhit, më mirë se kjo nuk e nxjerr askush. Ne nuk na votojnë për zgjedhje tifozët e partisë.

Pyetje: Por Berishës i cënohet procesi brendshëm?

Shehi: Nuk i cënohet procesi Berishës, le t’i zgjedhë me sondazh, dhe në fund themi që këta janë 7-8 vetë që do jenë në Tiranë. I marrim këta 7-8 kandidatë dhe sondazhi do të nxjerrë më të mirin. Unë do isha dakord sikur PD të ishte si njëherë e një kohë, por po flasim për një realitet konkret, se kemi dy PD.

Pyetje: Pse zgjodhët PD-në e Berishës?

Shehi: Ne nuk kemi zgjedh asnjërën as tjetrën, jemi në komunikim me të gjithë. Unë nuk do bëjë aleancë me asnjë forcë që nuk bie dakord për të dalë me një kandidat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat