Trafiku i kokainës nga Amerika Latine në Evropë/ Gazetari Artan Hoxha: Grupet shqiptare “fundosën” mafien italiane

Shqipëria

Trafiku i kokainës nga Amerika Latine në Evropë/ Gazetari Artan Hoxha: Grupet shqiptare “fundosën” mafien italiane

Më: 8 nëntor 2022 Në ora: 16:49
Gazetari Artan Hoxha

Gazetari Artan Hoxha thotë se grupet kriminale shqiptare kanë zëvendësuar grupet mafioze italiane, duke marrë  gjithçka në dorë sa i përket transportit të kokainës nga Amerika Latinë në Evropë.

Në një intervistë për Abc, gazetari tha se fillimisht mafia italiane si Ndragheta, Sacra Corona Unita apo të tjerë, kishin kontraktuar shqiptarët si elementë që ofronin shërbime dytësore, por me kalimin e kohës këta të fundit morën situatën në dorë duke qenë tashmë “violinë e parë” në këtë treg, madje duke zëvendësuar italianët.

“Antimafia italiane ka kohë që thotë nëpër raporte se tashmë shqiptarët kanë marrë në dorë aktivitetet që më parë i bënin grupet mafioze italiane. Fillimisht kanë qenë si nënkontraktorë, por tani kanë dalë më vete dhe kanë zëvendësuar aktivitetin e grupeve mafioze italiane në trafikun e kokainës”, tha Hoxha.

Gazetari shpjegoi gjithashtu se SPAK në Shqipëri është duke u marrë me grupet dhe elementët e vjetër kriminal në Shqipëri ndërkohë që në treg kanë hyrë figura të reja, të cilët në fakt drejtojnë trafikun e drogës.

“SPAK është i zënë me dosje të vjetra, por tani në treg janë të tjerë, më të rinj që drejtojnë aktivitetin e drogës”, tha Hoxha, ndërsa shtoi se në fakt gjithçka mbi trafikun e drogës nga Amerika Latine në Europë dhe Shqipëri drejtohet dhe organizohet nga personazhe me banim në Dubai.

“Ata rrinë atje pasi ruhen dhe nuk mund të goditen nga kundërshtarët, por edhe nuk ekstradohen”, tha Hoxha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat