Rreziku ndaj një sulmi fizik nga Irani, ambasadori Hoxha bën paralajmërimin e frikshëm

Shqipëria

Rreziku ndaj një sulmi fizik nga Irani, ambasadori Hoxha bën paralajmërimin e frikshëm

Më: 9 nëntor 2022 Në ora: 06:18
Ferit Hoxha

Ambasadori shqiptar në OKB, Ferit Hoxha është pyetur për marrëdhëniet e Shqipërisë me Iranin të cilat u ngrinë pas sulmeve kibernetike në vendin tonë.

Hoxha tha në emisionin “Opinion” se nuk ka asnjë marrëdhënie me Iranin, për të cilin pretendon se se ka bërë më shumë sesa kërcënime.

Përsa i përket sulmeve fizike, ambasadori deklaroi se kjo çështje duhet marrë shumë seriozisht.

Ai theksoi se për këtë arsye po vijojnë diskutimet me partnerët. Diplomati shqiptar u shpreh se nëse ndodhin sulme fizike, Shqipëria do të dijë si të përgjigjet.

Pjesë nga intervista:

Blendi Fevziu: Si janë marrëdhëniet tona me Iranin në Kombet e Bashkuara?

Ambasadori Hoxha: Hm, të ngrira.

Blendi Fevziu: Të ngrira, e di…

Ambasadori Hoxha: Nuk kemi më marrëdhënie me ekipin e Iranit. Është pjesë e mënyrës si zhvillohen marrëdhëniet kur shkëput lidhjet diplomatike. Por ama flasim për Iranin. Çdo herë që kemi diçka për të thënë dhe flasim për Iranin kur flasim për Sirinë, flasim për Iranin kur flasim për të drejtat e njeriut, siç bëmë me Ambasadoren Linda kur organizuam takimin e parë dhe unik. E quajtëm Formula Arria. Është një takim joformal i Këshillit mbi protestat që vazhdojnë në Iran dhe kjo është shumë e rëndësishme. Pra, nuk e harrojmë Iranin.

Blendi Fevziu: Por ata po e kërcënojnë Shqipërinë, media, jo qeveria. Po e kërcënojnë Shqipërinë madje me sulme dronësh apo çfarëdolloj terrorizmi tjetër.

Ambasadori Hoxha: Mendoj se kanë bërë më shumë sesa kërcënime sepse kemi sulmin kibernetik dhe ne po…

Blendi Fevziu: Po flasim për sulme fizike…

Ambasadori Hoxha: Dhe po merremi me atë. Shpresoj që nuk do të shkojnë kurrë aty sepse është një shkallë tjetër dhe një lloj tjetër situate. Duhet ta marrim shumë seriozisht. Po diskutojmë me partnerët. Po diskutojmë, sigurisht me SHBA, por edhe me aleatët europianë dhe NATO. Dhe shpresoj shumë se nuk do të ndodhë ndonjëherë. Por nëse ndodh, ne do të dimë si të përgjigjemi, jo vetëm, por me partnerët tanë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat