Inceneratorët, ish deputeti socialist Bllako rikthehet në qeli

Shqipëria

Inceneratorët, ish deputeti socialist Bllako rikthehet në qeli

Më: 9 nëntor 2022 Në ora: 16:22
Ish deputeti socialist Alqi Bllako duke hyrë ne Gjykatën e Posaçme të Apelit

Në Shqipëri, Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi sot të rikthejë në qeli ish deputetin socialist, Alqi Bllako i arrestuar në mars të këtij viti në kuadër të hetimeve për inceneratorin e Fierit. Muajin e kaluar ai ishte liruar, duke përfituar "arrestin në shtëpi", me vendim të Gjykatës së Posaçme të shkallës së parë, për shkak të “situatës familjare”. Prokuroria e posaçme e ankimoi vendimin.

Sot ish deputeti u paraqit në Gjykatën e Apelit i shoqëruar nga avokati i tij, për të kërkuar që masa e arrestit në shtëpi të mbetej në fuqi, por doli që andej me makinat e policisë që e dërguan sërish në qeli.

Zoti Bllako, akuzohet për “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim dhe “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”. Sipas Prokurorisë së posaçme ai, në bashkëpunim me ish Ministrin e Mjedisit Lefter Koka, i arrestuar më parë dhe për inceneratorin e Elbasanit, dhe me një tjetër zyrtar të Ministrisë, ku ai ka patur detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm, kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar, për ndërtimin e inceneratorit të Fierit, duke ndryshuar cilësimin nga “arë” në “tokë truall”, duke rritur vlerën e shpronësimit. Po ashtu ai dyshohet se ka favorizuar shoqërinë përfituese të koncensionit, në këmbim “të përfitimeve të parregullta” me një vlerë prej afro 150 mijë dollarë, të cilat kanë shkuar në formën e pagesave të larta mujore për babanë e tij, i punësuar pranë inceneratorit të Tiranës.

Kërkesa e Prokurorisë për arrestimin e tij, ishte pjesë e 14 urdhërave të tjerë të arrestit ndaj funksionarëve lokalë dhe anëtarëve të Komisioneve të Koncensionit për inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit, përfshirë për herë të dytë ish ministrin Koka dhe sipërmarrësin Klodian Zoto, që zotëronte 70 përqind të aksioneve në inceneratorin e Fierit.

Ish deputeti socialist ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij, duke këmbëngulur se nuk ka shkelur asnjë ligjet. Ai dorëzoi vullnetarisht mandatin, për t’i hapur, siç u shpreh në atë kohë “rrugën e pakushtëzuar proceseve të mëtejshme të organeve të drejtësisë”./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat