“Kërkojnë të ma mbyllin gojën, policia po më përndjek”- Shoku i Lear Kurtit bën deklaratën e fortë: Nesër mund të gjendem edhe unë i vdekur

Shqipëria

“Kërkojnë të ma mbyllin gojën, policia po më përndjek”- Shoku i Lear Kurtit bën deklaratën e fortë: Nesër mund të gjendem edhe unë i vdekur

Më: 13 nëntor 2022 Në ora: 21:59
Foto ilustrim

Shoku i ngushtë i Lear Kurtit, 32-vjeçarit i cili ndërroi jetë pas arrestimit në komisariatin e policisë në Tiranë, ka zbuluar për ABC se ndodhet nën përndjekjen e policisë.

Zyhdi Spahiu, 36-vjeç, ishte prezent në momentin e arrestimit nga policia. Ai rrëfeu për emisionin Pirranjat pas ngjarjes se Leari ishte dhunuar barbarisht në makinën e policisë.

Sipas tij fill pas kësaj deklarate ai është thirrur në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës, ku u mbajt për rreth 3 orë.

Që atëherë, Spahiu zbulon se ka qenë nën përndjekje nga policia dhe se është mbajtur gjatë gjithë kohës nën vëzhgim.

Më vonë më 2 nëntor, Spahiu është shoqëruar pasi u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Ai është ndaluar nga policia vetëm pak metra pasi kishte komunikuar me ta për të lëvizur makinën, pasi siç tregon, kishte marrë diçka për të ngrënë në një “fast food” te rruga e Durrësit.

“Këta me doemos duan diçka që të kapen me mua duan të dinë ca bëj, ca ha, ca pi, ku fle, çdo gjë. Mundohen të më mbyllin gojën, por mua nuk do të ma mbyllin gojën. Unë do t’i shkoj deri në fund kësaj”, thotë ai.

Spahiu zbulon se gjatë momentit të arrestimit i ka shkuar i njëjti punonjës policie që ka qenë natën kur Leari është shoqëruar dhe e ka kërcënuar duke i thënë se “ça i kë bërë vetes me këtë deklaratë, do të dalë nga hundët”.

Në një intervistë për ABC 36-vjeçari zbulon për herë të parë se natën që është shoqëruar Leari, ai ka qenë i dehur dhe ka kundërshtuar forcat e rendit, por është lënë i lirë në këmbim që të mos fliste.

“Ligji është i barabartë për të gjithë. Ke bërë një krim do marrësh dënimin, siç mbaj unë përgjegjësi. Kam bërë një krim, kam vuajtur dënimin. Shpresoj që ata të marrin dënimin e duhur sepse vëllanë tim, Learin nuk e kthejmë dot më.

Shqiptarët janë të gjithë me mua sepse e dinë se policia jonë është shumë harbute. Nuk ka mënyrë komunikimi fare. Në momentin që do ndalohet çdo qytetar do trembet. Sikur jemi në luftë, ne s’jemi në luftë. Detyra e këtyre është ta mbrojnë qytetarin”, thotë ai, teksa thekson se kushdo që të ishte nuk do e gëlltiste lëndën narkotike, por do e hidhte.

Ai e mbyll intervistën e tij me zotim se do të vijojë të kërkojë drejtësi për shokun e tij se dhe policia lodhet kot me këto forma presioni për t’i mbyllur gojën.

Këto kot lodhen, unë gojën nuk do e mbyll. Edhe mbas 10 vjetësh unë këtë version do kem. Ata të tre, ata maskarenj do të marrin dënimin e merituar. Vëllai im ka ikur në tokë, nuk kisha mundësi ta shpëtoja, por të paktën drejtësia të vihet në vend. Nëse duam të bëjmë drejtësi. Nëse s’duam të bëjmë drejtësi, me keqardhje e them që nesër mund të gjendem edhe unë i vdekur”, përfundon 36-vjeçari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat