PD i përgjigjet akuzave të mazhorancës: Dikush duhet t’i dalë për zot vendit! Rama kërkon të mbulojë me shpifje vjedhjet

Shqipëria

PD i përgjigjet akuzave të mazhorancës: Dikush duhet t’i dalë për zot vendit! Rama kërkon të mbulojë me shpifje vjedhjet

Më: 19 nëntor 2022 Në ora: 18:46
Kryetari i PD, Sali Berisha

Kryetari i PD, Sali Berisha pak ditë më parë njoftoi për një protestë më 6 dhjetor, ditën kur në Shqipëri do të vijnë liderët evropiane. Kjo është kritikua nga mazhoranca, ndërsa sot PD me anë të një njoftimi zyrtar sqaron se protesta nuk është kundër miqve evropianë, por është kundër atyre që vjedhin çdo ditë.

Zyra e shtypit të Partia Demokratike thekson se e thërret popullin në proteste sepse dikush duhet t’i dalë zot Shqipërisë në rrezik.

“Ne jemi të sigurtë se Europa, si në të gjitha udhëkryqet tona, do të jetë me Shqipërinë dhe popullin e kërcënuar të saj”, thuhet në reagim.

Ndërkohë, duke u ndalur tek projekti i Portit të Durrësit,  PD thotë se Rama ka vendosur të përdorë të njëjtën skemë si për inceneratorët, dhe “në vend të Zotos, për të fshehur paratë e vjedhura në kompani offshore, ka përzgjedhur ortakun e vëllezërve Karric”.

Reagimi i PD:

Sa qesharake kur dëgjon ‘gugallen e rrugëve të vjedhura’, sipas së cilës Edi Rama paska mbështetur për 10 vjet Berishën dhe familjen e tij.

Apo që fut në një thes dreqin e korrupsionit, që ka në bark, dhe protestën, si e drejtë europiane dhe universale.

Përmes gugalles së tij, që është dhe sekserja e cdo afere të pisët në infrastrukturën e vendit, me cmimet e rrugëve të cilat përafrohen me autostradat që mund të shtroheshin vetëm në Hënë, Rama kërkon të mbulojë me shpifje dhe trillime vjedhjet skandaloze, me kriminelë që sot janë në kërkim nga drejtësia si Zoto, Mërtiri dhe Gugallja.

Për të vjedhur Portin e Durrësit, Rama ka vendosur të përdorë të njëjtën skemë si për inceneratorët, dhe në vend të Zotos, për të fshehur paratë e vjedhura në kompani offshore, ka përzgjedhur ortakun e vëllezërve Karric.

Protesta e 6 dhjetorit, e shqiptarëve të vjedhur, të varfëruar dhe të përzënë nga vendi i tyre, nuk është kundër miqve të Shqipërisë, partnerëve strategjikë, aleatëve natyralë, përkundrazi është për mbrojtjen e vlerave europiane.

Eshtë një thirrje që ata të mbështesin popullin shqiptar në përballjen me një lukuni kleptokratësh me në krye Ramën, që ka vendosur në Shqipëri monizmin e plotë, ka vithisur vendin në fund të tabelave për të drejtat e njeriut, dhe zbatimin e ligjit, katër shkallë nën Vietnamin komunist.

Një thirrje kundër atyre që vjedhin çdo ditë, me banditë në kërkim, shpresën, të ardhmen, pasuritë dhe taksat e shqiptarëve.

Partia Demokratike e thërret popullin në proteste sepse dikush duhet t’i dalë zot Shqipërisë në rrezik.

Ne jemi të sigurtë se Europa, si në të gjitha udhëkryqet tona, do të jetë me Shqipërinë dhe popullin e kërcënuar të saj.

Stabiliteti është në interesin tonë, dinjiteti në vlerat tona, dhe të dyja bashkë i ndajmë me Europën dhe na ndajnë nga Putini i vogel dhe veglat e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat