Sulmet kibernetike të Iranit, Gjykata “zbut” masën e sigurisë për 5 punonjës

Shqipëria

Sulmet kibernetike të Iranit, Gjykata “zbut” masën e sigurisë për 5 punonjës

Më: 30 nëntor 2022 Në ora: 12:32
Foto ilustrim

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë kërkoi sot masën e sigurisë “Arrest shtëpie”, për 5 punonjës në sektorin e IT-së (teknologjisë së informacionit), në Departamentin e Administratës Publike.

Megjithatë kërkesa e prokurorisë nuk është marrë parasysh nga Gjykata e Shkallës së Parë, pasi ata kanë vendosur një masë me të butë për 5 punonjësit përgjegjës për të dhënat e shqiptarëve. ABC mëson se Gjykata e Shkallës së Parë ka vendosur si masë sigurie “Detyrim Paraqitje”, për 5 punonjësit e teknologjisë së Informacionit pranë DAP.

Prokuroria këto urdhër ndalimi i ka lëshuar në kuadër të hetimeve për sulmet kibernetike të kryera nga Irani ndaj portaleve shtetërore të shërbimeve online.

5 punonjësit e IT-së nën akuzë për shpërdorim detyre:

Alketa Sulo – Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike, Përgjegjës, Sektori i IT në Ministrinë e Brendshme;

Altin Sallaku- Përgjegjës, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike, Përgjegjës, Sektori i IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve;

Rudina Llagami- Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike;

Igli Lubonja – Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike; dhe

Albi Gjeka – Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike.

Konkretisht punonjësit e IT-së, Alketa Sulo, Altin Sallaku, Rudina Llagami, Igli Lubonja, Albi Gjeka, kanë shpërdoruar detyrën, pasi duhet të kërkonin raportim nga operatori ekonomik që ishte përgjegjës për situatën e sigurisë në faqen e administrata.al edhe për antiviruset që përdoreshin për mbrojtjen e kësaj faqeje.

Njoftimi:

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë kërkon masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për pesë punonjës IT pranë Departamentit të Adminiatratës Publike (DAP).

Kërkesa bëhet për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal për sulmin kibernetik ndaj institucionit shtetëror të AKSHI-t që përmbledh gjithë faqet zyrtare qeveritare në Republikën e Shqipërisë.

Punonjësit në fjalë janë angazhuar në pozicionin IT pranë DAP gjatë të njëjtës kohë kur është implementuar dhe mirëmbajtur sistemi administratë.al.

Në rastin konkret, stafi IT pranë DAP mund dhe duhej të kërkonte raportim nga ana e operatorit ekonomik të kontraktuar prej DAP për implementimin dhe mirëmbajtjen e sistemit në kohë lidhur me gjendjen në të cilën ndodhej ky sistem, pavarësisht mungesës së dijenisë për mënyrën e zbatimit të kontratës për implementimin e sistemit administrata.al.

Në rast se këta punonjës, do të kishin vepruar në përputhje me urdhërimet e Rregullores së Sigurisë së Informacionit nr. 337/1 prot., datë 17.01.2022, dhe Rregullores së Brendshme të AKSHI-it duke kërkuar informacion dhe duke u azhornuar me antiviruset më të fundit të sistemit, atëherë do ishte zbuluar në sistemet e tyre virusi i cili ka hyrë fillimisht tek administrata.al në mënyrë që të bëhej e mundur neutralizimi i tij pa prekur sistemin e AKSHI-t.

Këta persona me mosveprimet e tyre kanë sjellë pasoja të rënda dhe kanë konsumuar elementet e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.Penal. Prokuroria do vazhdojë hetimet për identifikim e plotë të çdo aktori apo subjekti të përfshirë në këtë veprimtari duke vënë para përgjegjësisë penale. ”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat