Kim: Kohë vendimtare për reformën në drejtësi, gjyqtarët jo hakmarrje

Shqipëria

Kim: Kohë vendimtare për reformën në drejtësi, gjyqtarët jo hakmarrje

Më: 13 dhjetor 2022 Në ora: 12:32
Yuri Kim

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim, sot deklaroi se reforma në drejtësi po jep rezultate të dukshme, të prekshme, konkrete.

Në fjalën e saj në konferencën “Drejt ekselencës gjyqësore”, Konsolidimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Kim u shpreh se reforma në drejtësi nuk është e lehtë.

Por, ajo shtoi “kemi filluar të shohim rezultate dhe kjo është koha kur na duhet vërtetë që të shtyjmë përpara dhe të mund të përpiqemi për përparim të vazhdueshëm dhe për rezultate të vërteta që çdo shqiptar i zakonshëm i kupton që janë rezultate të vërteta”.

“Ju duhet të jeni krenarë për arritjet që keni bërë deri më tani. Keni vendosur standardet e drejtësisë në Shqipëri. Keni filluar të zvogëloni numrin e çështjeve të prapambetura gjyqësore. Shpresojmë se shumë shpejt do të plotësoni të tre vendet e fundit të Gjykatës së Lartë, në mënyrë që ajo të sjellë drejtësi për popullin e Shqipërisë. Ne e dimë që reforma në drejtësi është e rëndësishme, jo vetëm sepse përmbush një kërkesë të BE-së për anëtarësim në BE, por sepse është kërkesa e drejtë e popullit shqiptar. Shikoni sa larg kemi arritur deri tani. 4 vite më parë në Gjykatën e Lartë ishte vetëm 1 gjyqtar. Por pasi Këshilli shqyrtoi dhe përpunoi qindra aplikime sot kemi një trup gjykues të plotë gjyqtarësh, thuajse gati për t’u realizuar. Na mungojnë vetëm 3 dhe shpresoj që këta të 3 do mund të gjenden shumë shpejt. E di që është e vështirë, por kjo do të mund të realizohet”, u shpreh Kim.

Ajo deklaroi se brenda tremujorit të parë të 2023-it, Gjykata e Lartë do të ketë të gjithë anëtarët.

“Njerëzit thonin që do të ishte e vështirë që të kishim një Gjykatë Kushtetuese funksionale kur unë mbërrita në janar të vitit 2020. Me vullnet dhe krijueshmëri dhe vendosmëri ishte e mundur që të kishim një Gjykatë Kushtetuese funksionale në fund të atij viti kalendarik. Kemi dhe 2 javë që kanë mbetur nga 2022-i, por besoj që brenda tremujorit të parë të 2023-it, Gjykata e Lartë do të ketë të gjithë anëtarët. Kjo është e rëndësishme. Ka kaluar mjaft kohë. Duhet të ofrojmë drejtësi për njerëzit. Duhet të gjejmë një mënyrë. E di që populli shqiptar sikurse SHBA-të dhe populli amerikan pret me padurim gjykata të plotësuara me gjyqtarë që janë të trajnuar, të paanshëm, që janë të aftë dhe të gatshëm, që të mund të japin drejtësi. Jo hakmarrje, por drejtësi. Që të dinë se kur të vijnë në gjykatë do të jenë të barabartë përpara ligjit. Që përsa u takon gjyqtarëve dhe prokurorëve ata që vijnë përpara tyre janë të njëjtë, janë të barabartë pavarësisht rangut, fuqisë, ndikimit. Ata do ta dinë që do të marrin drejtësi në kohë”, shtoi Kim.

Prandaj, vijoi Kim, “ka ka qenë e rëndësishme për ne si SHBA që të mund të mbështesim ekipin e nëpunësve për uljen e numrit të çështjeve të prapambetura, të cilët kanë bërë përparim në mijëra çështje gjyqësore të ngecura prej kohësh në gjykatë”.

“Ne mund të kuptojmë plotësisht frustrimin e popullit shqiptar, nuk është e drejtë. Sikurse ka thënë doktor Martin Luter King i riu, drejtësi e vonuar është drejtësi e mohuar. Le t’u japim njerëzve drejtësinë që meritojnë. Të vazhdojmë të bëjmë përparim. Dhe jo vetëm të bëjmë përparim, por gjithashtu ta intensifikojmë këtë përparim. Kemi nevojë që të bëhet zero numri i çështjeve të prapambetura. Kjo mund të realizohet. Me ndihmë, kjo do të mund të realizohet. Plotësojeni gjykatën. Vendosni përparësi për çështjet më urgjente. Vazhdoni të ecni sa më shpejt të mundeni. Kjo është një kohë vendimtare për reformën në drejtësi dhe ka arsye për të qenë optimistë, për këtë brez shqiptarësh”, tha Kim, duke shtuar se SHBA është në krahun e popullit shqiptar.

“Reforma në drejtësi po jep rezultate të dukshme, të prekshme, konkrete. Por a e dini çfarë? Njerëzit gjithashtu duan më shumë. Dhe SHBA-të janë në kahun e popullit shqiptar. Ne biem dakord me ta. Duhet të ketë më shumë. Kjo nuk është një kohë për t’u çlodhur. Ne duhet të festojmë për përparimin që kemi bërë së bashku. Deri më tani këtë e kemi realizuar së bashku. Ndonjëherë ka qenë e vështirë, nuk mendoj se ka pasur ndonjë kohë kur ka qenë e lehtë. Ndonjëherë ka pasur gabime, por kjo është në rregull. Ky është një proces njerëzor. Por çelësi është që mbeteni të angazhuar ndaj synimit në mënyrë të sinqertë, në mënyrë serioze që ta dini se SHBA-të nuk do të rreshtin, nuk do të ndalojnë, as ju nuk duhet. Që partnerët tuaj evropianë duan që ju të keni sukses, po aq sa ç’duan partnerët tuaj amerikan që ju mund t’ia dilni mbanë”, u shpreh Kim.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri shtoi se vendimet për drejtësinë u ndikojnë të gjithëve.

“Unë kam 3 vite në Shqipëri dhe do të jem këtu edhe për ca më gjatë. Por kjo është ajo që kam mësuar gjatë këtyre 3 viteve të mia këtu, që ka një sfidë të madhe këtu, e dini. Kjo nuk ndodh sepse Shqipëria është unike, është në mënyrë unikale e keqe, në mënyrë unikale e korruptuar, jo kjo është vërtetë marri. Por ka histori këtu. Dhe duhet të ndjejmë empati dhe respekt për historinë nëpër të cilën ka kaluar ky vend, për përvojën e popullit shqiptar. Dhe gjithashtu sfidat me të cilat ky vend përballet. Ky është një vend i vogël. Të gjithë i njohin gjithë të tjerët. Vendimet për drejtësinë na ndikojnë të gjithëve në mënyra që ndoshta nuk do donim t’i pranonim. Vendime për atë që kush do të jetë në këtë pozicion të caktuar, se kush do të jetë kreu i atij institucioni ose atij tjetri. Dhe të gjitha janë të lidhura në një formë a tjetër. por ka ardhur koha për të thënë që Shqipëria është gati për fazën tjetër. Që ne nuk mund të vazhdojmë kështu më. Shqipëria ka qenë anëtare e NATO-s që prej vitit 2009. Në korrik, në mënyrë zyrtare BE-ja filloi negociatat për hyrjen tuaj në këtë klubin e ëndrrave. Ju jeni ulur ngjitur me ne, fjalë për fjalë, ngjitur me SHBA-të, si Shqipëri në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ju respektoheni dhe besoheni si një zë për çështjet globale. Ka zhvillime strategjike të cilat janë kaq pranë për t’u bërë të vërteta në vendin tuaj, energjia, transporti, siguria”, u shpreh Kim, shkruan Atsh

Ajo shtoi se marrëdhënia me SHBA-të përgjatë demokracisë, mbrojtjes dhe biznesit, investimet amerikane në Shqipëri nuk kanë qenë kurrë më të larta.

“Biznesmenët, gratë e biznesit duhet ta dinë që kur të vijnë dhe blejnë prona këtu që ajo copë letre ka vlerë. Ata duhet ta dinë që kur të vijnë dhe të shkojnë në gjykatë, për shkak se ka një mospajtim, që gjykatësi do të vendosë një gjykim që ka kuptim dhe që është në përputhje me ligjin dhe jo në përputhje me atë që ka paguar më shumë. Apo kush ka bërë kërcënimin më frikësues”, tha Kim.

“Kemi bërë përparim në fushën e mbrojtjes. Për herë të parë në histori kemi pasur këtu ushtarakë amerikanë. A e kishit menduar këtu në 91-in? A do ta kishit menduar këtë në 97-ën? A do ta kishit menduar këtë në çfarëdolloj pike gjatë diktaturës së Enver Hoxhës? Dhe ai madje po rrotullohet në varr. Kjo është e ardhmja”, shtoi Kim.

Ambasadorja e SHBA-së u shpreh se duan që Shqipëria të jetë vendi më i mirë që mund të jetë.

“Shqipëria që është si pjesa tjetër e Evropës, që është Evropë. Kjo është ajo që ne duam për ju si SHBA. Për këtë arsye vazhdojmë në reformën tuaj të drejtësisë. Ne vazhdojmë të besojmë, ne vazhdojmë të shtyjmë përpara. E di që ndonjëherë nuk ju pëlqen. E di. E di që është e pakëndshme ndonjëherë. Do të kishit dashur që ndoshta ne të kishim qenë të heshtur. Ne jemi miqtë tuaj. Ne duam që ju të jeni vendi më i mirë që mund të jeni. Ne duam që ju të jeni partnerët tanë, të aftë, të fuqishëm, të pasur. Një vend që vendet e tjera do ta shohin dhe do të thonin uou, ia dolën mbanë, pavarësisht sfidës së të qenit një vend i vogël. Ata zgjodhën një shteg të vështirë, ecën në atë rrugë, patën një mik të mirë, disa miq të mirë dhe ia dolën mbanë, por ky është çasti, ky është momenti. Ne kemi bërë progres së bashku, por tani nuk është koha për t’u çlodhur për të pushuar. Tani nuk është koha për të thënë mjaft. Kjo mjafton”, u shpreh ajo, duke shtuar se është koha për të lëvizur përpara.

“Jo tani është koha për të thënë ne do të shtyjmë përpara sepse e ardhmja jonë, brezi i ardhshëm i shqiptarëve, brezi i ardhshëm i amerikanëve, brezi i ardhshëm i evropianëve, vërtetë i ka sytë tek ju. Mbështeten tek ju. për këtë arsye le të përveshim mëngët së bashku. Le të ri-angazhohemi dhe le ta ulim më tej çështjet e prapambetura, le ta rrisim ritmin, le të vendosen gjyqtarët në pozicionet e tyre. Le të sigurohemi që vendimet që merren. Se për cilin do të jetë drejtuesi i këtij institucionit apo atij. Se kush do të jetë prokurori këtu apo aty, se kush do të jetë gjyqtari aty apo atje, se kush kalon vetingun ose jo, se si arrihet në këto vendime le të sigurohemi që vendimet që bëjmë do mund të na çojnë drejt të ardhmes, që nuk do të na mbajnë në vendnumëro. Që nuk do të na ngecin diku. Nuk do të na çojnë prapa. Nuk do të na çojnë pas. Ne nuk mund të shkojmë prapa, por duhet të bëjmë përpara. Dhe kjo është koha për të lëvizur përpara”, shtoi tutje Kim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat