“Rama bëri 137 udhëtime me charter”- Opozita bashkon votat për të hetuar në Parlament fluturimet e Kryeministrit

Shqipëria

“Rama bëri 137 udhëtime me charter”- Opozita bashkon votat për të hetuar në Parlament fluturimet e Kryeministrit

Më: 22 dhjetor 2022 Në ora: 12:04
Foto ilustrim

Opozita është bashkuar për të bërë firmat për t’i kërkuar Kuvendit të ngrejë komisionin hetimor për të hetuar fluturimet e Kryeministrit Rama me avion privat.

Deputetë të rrymës Berisha, Alibeaj, por edhe deputetë të PL-së kanë firmosur kërkesën e depozituar në Kuvend që të ngrihet komisioni hetimor. 36 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë depozituan në Kuvend kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor “Për verifikimin e ligjshmërisë së shpenzimeve të udhëtimeve me avion jashtë shtetit të Kryeministrit në detyrë, nga data 10.09.2013 deri në datë 31.10.2022”.

Në kërkesë theksohet se faktet e publikuara janë tronditëse. Kryeministri rezulton të ketë udhëtuar 137 herë jashtë shtetit me avion privat të tipit “charter”, pa llogaritur udhëtimet e tjera me avion të linjave të zakonshme me intervale 3-4 ditore njëri nga tjetri. Rezulton se edhe gjatë krizës së pandemisë Covid-19, Kryeministri ka kryer rreth 20 udhëtime me avion “charter”. Shifra e 137 udhëtimeve “charter” është dy herë më shumë se numri i udhëtimeve të ish-Presidenti amerikan Xhorxh W. BUSH, i cili, në dy mandate, kishte kryer 74 fluturime me avionin presidencial amerikan “Air Force One”.

Opozita ka denoncuar në vazhdimësi shpërdorimin e fondeve dhe parave publike nga Kryeministri, duke bërë publike mjaft shembuj konkretë të këtyre abuzimeve. Gjithashtu media investigative ka publikuar mjaft të dhëna dhe detaje rreth udhëtimeve jashtë shtetit të Kryeministrit. Partia Demokratike, ka depozituar në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor për udhëtimet me “charter” të Kryeministrit Edi Rama.

Luçiano Boçi tha se kërkesa është depozituar në Kuvend nga 35 deputetë të PD-së. “Lajmi tjetër është kërkesa jonë për ngritjen e komisionit hetimor për ‘charter’-at, shpenzimet marramendëse, milionëshe të Kryeministrit. Falë kontributit të gjithë deputetëve të PD është depozituar me 35 firma, që e bën të detyrueshëm ngritjen e këtij komisioni. Shpresoj që Kuvendi si ka vepruar deri tani si pengues të heqë dorë nga pengesa e të ngrejë menjëherë komisionin hetimor. Hakerat e ‘Homeland Justice’ kanë publikuar të dhënat personale të kryeministrit Edi Rama”, tha Boçi.

UDHËTIMET ME AVION PRIVAT

Më 27 tetor të këtij viti hakerat iranianë “Drejtësi për Atdheun” publikuan hyrjet dhe daljet e kryeministrit Rama jashtë Shqipërisë. Sipas të dhënave të publikuara prej tyre Kryeministri Rama ka hyrë dhe ka dalë plot 134 herë me avionin e tij “charter”. Janë fluturime me avionin “Ismaili”, për të cilin qeveria nuk ka bërë asnjëherë transparencë se si u mor nga qeveria turke dhe sa shpenzon për 1 orë fluturim. Kreu i qeverisë ka udhëtuar 28 herë me “charter” (hyrje – dalje) në vitin 2022 dhe vetëm 3 fluturime linje. Ka udhëtuar 66 herë me “charter” (hyrje – dalje) në vitin 2021 dhe asnjë fluturim linje. Ka udhëtuar 40 herë me “charter” (hyrje – dalje) në vitin 2020 dhe vetë 5 fluturime linje. Një avion si ai që përdor kryeministri, një “Airbus A319-100” shpenzon rreth 15 mijë euro për çdo orë fluturim. Ajo që vihet re është se destinacioni më i shpeshtë për kryeministrin Rama, është Turqia. Kryeministri Edi Rama rezulton se ka udhëtuar 50 herë me avion “charter”. Këto udhëtime i ka bërë që nga koha kur ishte kryetar i bashkisë së Tiranës në vitin 2004, më pas si kryetar i opozitës dhe tani si Kryeministër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat