A janë përdorur në ngjarje kriminale armët e gjetura në banesën e Martinajt? Policia bën ekzaminimin e tyre

Shqipëria

A janë përdorur në ngjarje kriminale armët e gjetura në banesën e Martinajt? Policia bën ekzaminimin e tyre

Më: 27 dhjetor 2022 Në ora: 18:21
Ervis Martinaj

Një ditë pas operacionit të RENEA-s dhe FNSH në banesën e Ervis Martinajt, armët e gjetura u janë nënshtruar ekzaminimeve.

Dy armët automatike, silenciatori, fishekët dhe uniformat e policisë janë dërguar në laboratorin e Policisë Shkencore, ku ekspertët po kërkojnë për gjurmë të mundshme që mund të çojnë në identifikimin e personave që i kanë pasur në zotërim.

Siç raporton Klan, automatikët po kontrollohen po ashtu edhe për të parë nëse janë përdorur në ngjarje kriminale. Armët, 7 mijë fishekë dhe 9 uniformat e policisë, u gjeten të fshehura në disa koshere bletësh, së bashku me disa materiale të tjera. Por policia nuk ka ende asnjë të shoqëruar.

5 muaj pas zhdukjes, FNSH-ja dhe RENEA kanë zhvilluar për herë të parë kontrolle në shtëpinë e bosit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj. Kontrollet nisën orët e para të mëngjesit të djeshëm dhe zgjatën për rreth 5 orë në të gjithë zonën e Fushë-Kuqes në Kurbin, aty ku ndodhet edhe banesa e Martinaj. RENEA dhe FNSH-ja janë futur brenda banesës së Martinajt, e cila ndodhet rreth 200 metra larg fshatit Fushë-Kuqe.

Kontrolli ishte me vendim të Gjykatës në funksion të hetimeve që po kryhen për zhdukjen e Ervis Martinajt, por edhe për ngjarje të tjera kriminale që kanë ndodhur në këtë zonë. Ajo se çfarë gjeti Policia ishte një arsenal armësh, të fshehur në kosheret e bletëve. Nga sa mësohet në shtëpinë e Ervis Martinajt dhe 2 xhaxhallarëve të tij Faik dhe Rakip Martinaj u gjetën 2 armë zjarri automatike, 1 silenciator, rreth 7 mijë fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, për armë të lehta dhe të rënda, 85 predha eksplozive, 1 thikë bajonetë, 9 uniforma policie, 7 jelekë multifunksionalë, 11 kapele policie, 2 radio policie, fenelina policie, maskë gome për fytyrën dhe dokumente të ndryshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat