Rekrutimet e vrasësve me pagesë nga Shqipëria, përgjimet nxjerrin “zbuluar” Lekocajn: 30 mijë euro, racë pakistaneze

Shqipëria

Rekrutimet e vrasësve me pagesë nga Shqipëria, përgjimet nxjerrin “zbuluar” Lekocajn: 30 mijë euro, racë pakistaneze

Më: 27 dhjetor 2022 Në ora: 19:39
Foto ilustrim

Të tjera detaje kanë dalë mbi historinë e vrasjeve me pagesë ku janë përfshirë disa eksponentë të mafies shqiptare në Greqi.

Bëhet fjalë për Klodian Lekocaj, qelia e të cilit u bastis nga policia greke, pasi ai dyshohet se është porositësi i vrasjeve të 2 shqiptarëve në Athinë pak ditë më parë.

“BalkanWeb” sjell detaje të reja nga investigimi sipas të cilit, Klodian Lekocaj, ndryshe nga sa shprehet në media se është një viktimë e drejtësisë e se nuk ka para të blejë as cigare, rezulton direkt apo indirekt i përfshirë në dhjetëra krime prej viteve 2000 në Greqi.

Ditën e djeshme BW tha se veç vrasjeve të avokatit Zafiropoulos, Arbër Bakos, Bardhyl Tushës etj., emri i tij del edhe në vrasjen e Elvis Bogdanit në 2008 dhe të Ari Papës në 2021. Po kështu zbulohet se emri i Lekocaj del edhe në një hetim tjetër të policisë greke në 2019, ku rezulton të rekrutojë vrasës me pagesë nga Shqipëria.

Pra Lekocaj rezulton të ketë organizuar një vrasje me pagesë kundrejt shumës 30 mijë euro, ku viktimë do të ishte një shtetas pakistanez në Greqi, i cili mendohet se ishte dëshmitar në një ngjarje kriminale dhe për këtë arsye duhet të hiqej qafe. Klodian Lekocaj komunikon kështu me një shtetas grek 39 vjeç, i burgosur në burgun e Domokos, i arrestuar për tentativën e grabitjes së supermarket “Sklavenitis” në Vrilisia. “Pagesa është 30 mijë euro… është racë pakistaneze”, dëgjohet të thotë në përgjim Klodian Lekocaj me të dënuarin grek. 20 mijë euro do i merrte vrasësi dhe 10 mijë euro do të ndaheshin mes Lekocajt dhe bashkëpunëtorit të tij grek. Klodi dëgjohet gjithashtu t’i thotë grekut se ka mbetur keq për “gishta”, d.m.th vrasës dhe i kërkon të ndërmjetësojë që të gjejnë një të tillë.

“Unë pres njerëz që bëjnë të tilla sepse timi është brenda”, i thotë ai. Realisht me ndërmjetësimin e grekut dhe të një bullgari bashkëvuajtës të tij, erdhën në kontakt me një shqiptar që doli vullnetar të vinte nga Shqipëria në Greqi për të kryer punën. Shqiptari kishte kryer më parë vrasjen e një të moshuari në 2013. Greku dhe bullgari dëgjohen t’i thonë shqiptarit: “Pula është pakistanez, japin 30”, i thonë fillimisht. Më pas e informojnë se porosia është e Klodit, urdhërues i vrasjes së avokatit Mixalis Zafiropoulos. “Është ai që hëngri avokatin, që dha urdhrin”. I thonë madje të nxitojë se shqiptari ka në plan një tjetër porosi.

“Një herë po filloi kjo punë, pastaj janë shumë punë”. Në një tjetër bisedë e nxisin ta qëllojë viktimën me një plumb në kokë dhe pastaj ta hedhë pistoletën në det. Përfundimisht vrasësi me pagesë u arrestua teksa transportonte 5 kg marijuanë me anije nga Pireu në Xio për llogari të një të burgosuri në burgun e Korfuzit dhe para së të udhëtonte për Amfisa, ku do të merrte pistoletën dhe një zarf me të dhënat dhe fotografinë e viktimës. Gjithë të tjerët u arrestuan në vitin 2019 nga Anti-Terrori grek ndërsa kontrolle u kryen dhe në burgun e Domokos dhe Korfuzit.

Kujtojmë se ngjarja kriminale e pak ditëve më parë ka tronditur gjithë opinionin public në Greqi, për mënyrën sesi ishte organizuar dhe besohet se u realizua nga e njëjta dorë me vrasjen e biznesmenit në Tiranë, Edmond Papës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat