Dosja “Bilali”/ Vrasja e dy vëllezërve pa autor, por gjykata jep 6 vite burg për përkrahësin e ekzekutuesve

Shqipëria

Dosja “Bilali”/ Vrasja e dy vëllezërve pa autor, por gjykata jep 6 vite burg për përkrahësin e ekzekutuesve

Më: 31 dhjetor 2022 Në ora: 11:55
Ilustrim

Arsen Stojku, njëri nga të arrestuarit e prokurorisë dhe policisë së Shkodrës, për vrasjen e vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali, është dënuar nga gjykata e këtij qyteti me 6 vite burgim për akuzën e “Përkrahjes së autorëve të krimit”.

Krimi i dyfishtë që tronditi Shkodrën, sot nuk ka asnjë autor para drejtësisë.

Treshja e gjyqtarëve pak kohë më parë deklaruan fajtor dhe dënuan djalin e tezes së familjes Lici, si përkrahës i autorëve të krimit të dyfishtë dhe jo siç e akuzonte prokuroria për vrasje në rrethana cilësuese dhe mbajtjes pa lejë të armëve.

Për këto dy vepra penale, prokuroria kërkoi në gjykatë dënimin me 35 vite burgim të Arsen Stojkut, si personi që ka marrë pjesë në vrasjen e dyfishtë të vëllezërve Bilali, ngjarje kjo e ndodhur në 30 Mars 2019 në Shkodër.

Por pas disa seancave maratonë, në fund të procesit trupi gjykues vendosi të kualifikojë dy veprat penale nga “Vrasje në rrethana cilësuese” në “Përkrahje të autorëve të krimit”. Kjo pasi sipas gjykatës, i pandehuri Arsen Stojku, provohet se ka marrë me qira një automjet tip “Volsvagen”, të cilin e ka përdorur më pas në largimin e dy autorëve.

Por nuk provohet që ka marrë pjesë në vrasje. Ndër të tjera në vendim thuhet:

”…largimi i ekzekutorëve është bërë nga i pandehuri Arsen Stojku me automjetin e marrë me qira “Volksvagen”, i cili pas përdorimit i është kthyer pronarit të ligjshëm të tij. Nuk provohet veprimtari kriminale e Arsen Stojkut, në realizimin e vrasjes në asnjë formë të saj. Të vetmet veprime të provuara objektivisht në ngarkim të Stojkut, janë veprimet e sipërcituara, ato të largimit të ekzekutorëve nga vendi i djegies së automjetit, që përdorën në vrasje. Kjo gjë nuk përbën një fakt të mjaftueshëm për të konkluduar në dijeninë, fajësinë dhe bashkëpunimin e tij në vrasje…”.

Nisur nga kjo situatë, tre gjyqtarët kanë krijuar bindjen juridike se Arsen Stojku duhet të shpallet fajtor për akuzën e “Përkrahjes së autorëve të krimit” duke e dënuar me 6 vite burgim dhe jo me 35 vite burg si kërkoi prokuroria.

“Ora News” mëson se akuza nuk ka qenë dakord me këtë vendim, pasi pak ditë më parë e ankimoi atë në Gjykatën e Apelit Shkodër.

Mësohet se për të njëjtën vepër penalë që u dënua Stojku, një vit më parë, gjykata shpalli fajtor dhe dënoi me 4 vjet e 6 muaj burgim Myslim Ramën, ndërsa shpalli të pafajshëm mikun e tij, Denis Brahimin.

Aktualisht Rama ka dalë nga burgu dhe është larguar jashtë Shqipërisë. Ndërsa për të dyshuar e policisë së Shkodrës, Ibrahim Lici, si autor i vrasjes së dy vëllezërve Bilali, prokuroria nuk ngriti asnjë akuzë.

Në procesin gjyqësor dëshmuan disa persona familjarë të Astrit dhe Brahim Bilalit, të cilët treguan rrethanat e ndodhjes së krimit dhe konfliktet e mundshme që mund të kenë shërbyer si motiv për vrasjen e dyfishtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat