U akuzua se shkeli embargon e OKB-së ndaj Rusisë, qeveria fshehu vizitën e Drejtorit të Doganave të Serbisë

Shqipëria

U akuzua se shkeli embargon e OKB-së ndaj Rusisë, qeveria fshehu vizitën e Drejtorit të Doganave të Serbisë

Më: 1 janar 2023 Në ora: 08:27
Branko Radujko dhe Gent Gazheli

Një vizitë zyrtare e drejtorit të doganave të Serbisë, Branko Radujko, është mbajtur e fshehtë nga autoritetet doganore Shqipërisë, edhe pse kanë kaluar mëse dy javë kur zyrtari serb ishte në Tiranë dhe në Durrës. TPZ.al mësoi se Radujko mbërriti në Shqipëri më 12 dhjetor 2022 dhe në nder të tij, homologu shqiptar, Gent Gazheli, shtroi edhe një darkë në një restorant të njohur. 

Të nesërmen më 13 dhjetor dy drejtuesit e doganave të të dy vendeve vizituan edhe Terminalin e Konteinerëve në Portin e Durrësit. Vizita nuk është pasqyruar as në faqen e Autoritetit Portual të Durrësit (durresport.al).

I vetmi njoftim që lidhet me drejtorin e Doganave të Serbisë është një takim zyrtar mes tij dhe homologut shqiptar, Gent Gazheli në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 8 qershor 2022. Sipas këtij njoftimi të publikuar në faqen e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave (dogana.gov.al).

“Në kuadër të Open Ballkan, që po mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave z. Genti Gazheli, zhvilloi një takim me drejtorin e Përgjithshëm të Doganave të Serbisë, z.Branko Radujko, ku diskutuan mbi bashkëpunimin mes dy administrative. Z. Gazheli vlerësoi gjatë këtij takimi se mes Shqipërisë dhe Serbisë janë nënshkruar disa marrëveshje, një nga të cilat është edhe për njohjen reciproke të Operatorëve të Autorizuar Ekonomikë që mundëson lehtësira në eksportet dhe importet mes dy vendeve”.

Sipas doganave të Shqipërisë, për vitin 2021, volumi tregtar i shkëmbimeve me Serbinë ka qenë 505 293 Ton me një vlerë prej 37 936 mln lekë ose 309 mln Euro. Kryesisht nga Shqipëria drejt Serbisë gjatë vitit 2021 janë eksportuar çimento, energji elektrike, elemente kimike, zarzavate të ndryshme, shufra dhe shkopinj te tjere prej gize, etj, ndërkohë janë importuar energji elektrike, misër, grurë, uje mineral.

Më parë në faqen e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave ishte publikuar edhe një takim i Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, z. Genti Gazheli, me Ambasadorin e Serbisë në Tiranë z. Slobodan Vukçeviç, më 5 maj 2022, ku, sipas tij, tema kryesore e diskutimeve ishte bashkëpunimi në fushën e doganave në kuadër të nismës “Ballkan i hapur” dhe të nismave të tjera rajonale.

Nuk dihet arsyeja pse është mbajtur sekret një takim zyrtar me drejtuesve të doganave të Shqipërisë dhe të Serbisë, por më 16 dhjetor, gazeta malazeze “Pobjeda”, publikoi një investigim disamujorësh se si Shqipëria dhe Mali i Zi shkelën embargon ndaj Rusisë pasi lejuan tregtinë e grurit dhe plehrave kimikë mes saj dhe Serbisë, përmes Portit të Durrësit.

Sipas medias malazeze, për muaj të tërë, sasi të mëdha fertilizuesish artificialë u transportuan me kamionë nga ky port drejt Hanit te Hotit dhe më tej përmes territorit malazez drejt Serbisë, ndërsa kontigjente gruri u transportuan nga Serbia në Federatën Ruse në të njëjtën rrugë.

“Pobjeda” citoi për këto pretendime të saj burime nga sektori malazez i sigurisë dhe Drejtoria vendase e doganave. Në këtë mënyrë, tha ajo, edhe Mali i Zi u përfshi në mënyrë indirekte në shkeljen e sanksioneve të Bashkimit Europian ndaj Federatës Ruse, në kundërshtim me vendimin e Qeverisë së Dritan Abazoviçit, përmes të cilit Podgorica iu bashkua politikës së sanksioneve të rrepta kundër regjimit të Vladimir Putinit. Për më shumë se një vit, sasi të mëdha plehrash kimikë, kaluan nga Shqipëria përmes Malit të Zi në Serbi, dhe në deklaratat doganore në fillim shkruhej qartë vendi i origjinës: Federata Ruse.

Deri në fillim të dhjetorit, theksuan burimet e gazetës malazeze, në Serbi u dërguan pothuajse 8 mijë kamionë me plehra kimikë. Ndërkohë, rreth 6000 kamionë me drithë kaluan nga Serbia, tranzit nëpër territorin malazez, drejt Shqipërisë dhe më tej në Rusi.

Gazeta tha se qeveria malazeze, pas disa vonesash, në 8 prill miratoi zyrtarisht sanksionet kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj ushtarak kundër Ukrainës, e atëherë, një grup personash nga Rusia, Shqipëria dhe Serbia-pronarë të kompanive të afërta me autoritetet e të tre vendeve u përpoqën të fshihnin vendin e origjinës në këtë biznes tregtar. Nga anijet në Portin e Durrësit në Shqipëri, plehu ngarkohej në kamionë në thasë të mëdhenj që mbanin disa qindra kilogramë, të cilët nuk shënonin vendin e origjinës së mallit dhe përbërjen e lëndës së parë. Burimet e gazetës nuk mund të specifikonin se sa tonë pleh janë transportuar nga Rusia, nëpërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, drejt Serbisë, por janë kategorike se shkelja e sanksioneve ka zgjatur për disa muaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat