Refuzoi të mbetej peng i karriges me rrota, 32-vjeçari përshtat makinat për personat me aftësi të veçanta

Shqipëria

Refuzoi të mbetej peng i karriges me rrota, 32-vjeçari përshtat makinat për personat me aftësi të veçanta

Më: 1 janar 2023 Në ora: 14:15
Foto ilustrim

Vuan prej distrofisë muskulare, por sëmundja jo vetëm që nuk e ka mposhtur, por e ka bërë edhe më të fortë. 32-vjeçari Flamur Bala prej 15 vitesh qëndron në këtë karrige me rrota, por pa ju bërë barrë askujt.

Distrofinë muskulare e ka genetike, por shumë vonë e kuptoi se ishte diçka serioze. Fëmijërinë e tij, Flamuri e ka pasur si gjithë fëmijët e tjerë. Në adoleshencë nisi të kuptonte se diçka nuk shkonte, lodhej shpejt dhe haste vështirësi në lëvizje që më parë për të ishin të thjeshta.

Ideja që jetën do ta kalonte në karrige me rrota, Flamurit ju desh pak kohë për ta pranuar. Ishte e vështirë tregon ai, por Zoti i dha forcë për ta përballuar.

Të mësosh se pjesën tjetër të jetës do ta kalosh në karrige me rrota dhe nën kujdesin e të tjerëve është shumë e vështirë. Flamuri jo vetëm që nuk ju bë barrë askujt por nisi të ndihmonte në familje si gjithë moshatarët e tij.

Kështu, Flamuri modifikoi makinën e familjes, në mënyrë që të hipte në vendin e shoferit vetëm dhe me karrige me rrota. Më pas këtë ide e ktheu në biznes fitimprurës. Tashmë e 12 vite, Flamuri ka modifikuar mbi 70 makina, të cilat mund t’i drejtojnë personat me aftësi ndryshe.

Flamuri tregon se ka pasur kërkesa ta shumta për modifikimin e automjeteve, jo vetëm nga Durrësi por edhe nga qytete të tjera të vendit. Ai thotë se modifikimi i makinave nuk ka të bëjë vetëm me anën monetare, por edhe shpirtërore, pasi ndihet mirë që personat me aftësi ndryshe të ndihen deri diku të pavarur.

Përveç aftësive si mekanik, Flamuri ka treguar dhe shpirtin e tij artistik. Ka botuar librin me poezi “Sfidë në univers”. Frymëzimin për të shkruar e mori nga historia e tij e dashurisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat