Kontrollet në shtëpinë e Ervis Martinajt në Surrel, Artan Hoxha: U gjet një pasaportë e falsifikuar, të hetohet si është marrë!

Shqipëria

Kontrollet në shtëpinë e Ervis Martinajt në Surrel, Artan Hoxha: U gjet një pasaportë e falsifikuar, të hetohet si është marrë!

Më: 9 janar 2023 Në ora: 19:28
Ervis Martinaj

Gazetari i kronikës Artan Hoxha thotë se hetimet për Ervis Martinajn janë të vonuara. Teksa dha detaje të reja nga kontrolli në banesën e tij në Surrel, Hoxha u shpreh se në shtëpi është gjetur një pasaportë me identiteti të rremë, por me foton e Martinajt.

Sipas Hoxhës duhet të hetohet mënyra si është marrë kjo pasaportë sepse edhe pse është e falsifikuar ajo ekziston në sistem.

“Është një veprim i cili vijoi operacionin që u bë në datën 26 dhjetor të vitit të kaluar, që po ashtu ishte një veprim i vonuar. Janë procedura që duhet të ishin bërë më herët dhe po bëhen tani për të qenë në rregull me letra.

Këto banesa diheshin dhe nuk kishte pse të kaloheshin 5 muaj për tu kontrolluar.

Martinaj është shpallur në kërkim më 17 maj në kuadër të operacionit Plumbi i Artë. Nuk janë bastisur këto banesa.

Nga 17 maji deri në 9 gusht ka pasur 3 muaj  kohë, që edhe nëse kishte diçka komprometuese ta hiqte.

Nga 9 gushti deri më sot kanë kaluar edhe 5 muaj të tjerë. Unë e kam thënë që një nga arsyet që Martinaj u përplas me autoritetet është ndërtimi i dy banesave në zonën e Surrelit.

Kjo është banesa ku ka jetuar edhe vetë, ka jetuar bashkëshortja dhe vajzat. Banesa tjetër është në dalje të Surrelit, në hyrje të fshatit Priskë, nuk e di nëse policia ka shkuar aty.

Në rastin konkret është thënë që është gjetur disa dokumente që do të jenë pjesë e hetimit. Është gjetur një pasaportë me identitetin Admir Koçi, por me foton e Ervis Martinajt dhe kjo është një pasaportë që ai e ka përdorur. Kjo është marrë nga sistemi dhe duhet të hetohet si ai ka mundur ta marrë këtë pasaportë. Ajo është një pasaportë që edhe pse ka të dhëna të falsifikuara, ajo ekziston në sistem. Kjo do të thotë që ajo i jepte mundësi të lëvizte brenda dhe jashtë vendit edhe nëse shpallej në kërkim.

Kjo banesë mirëmbahej një person, por në atë kohë banesa është blerë nga Martinaj. Unë nuk e di si janë bërë letrat më vonë, nëse i janë rikthyer sërish personave ose është lënë në emër të tyre për të mos u sekuestruar, por është fakt ku ka qëndruar Martinaj me familjen.

Si veprime më duken të vonuara. Më duket se hetimi është pak i vonuar dhe për ti dhënë kristalizim asaj që ka ndodhur duhet që hetimi të ishte më i shpejtë.

Për SPAK është në kërkim, prokuroria e Kurbinit heton zhdukjen e tij. Që këto hamendësime të zbardhen do të duhet të kemi një hetim të shpejt”, tha Artan Hoxha në News24.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat