Sezoni turistik / Çuçi: Për herë të parë do të kemi një njësi speciale për kontrollin detar

Shqipëria

Sezoni turistik / Çuçi: Për herë të parë do të kemi një njësi speciale për kontrollin detar

Më: 11 janar 2023 Në ora: 11:41
Bledi Çuçi

Në një konferencë për mediat këtë të mërkurë, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, bëri një analizë të punës së Policisë së Shtetit gjatë vitit 2022. Ai foli për sfidat dhe objektivat për vitin 2023.

Çuçi u shpreh se Policia Kriminale do të riorganizohet brenda vetes së saj.

“Gjatë vitit 2022, unë jam shumë i kënaqur që ne kemi bërë atë ristrukturim dhe të ndajmë punën e policisë kriminale nga krimet e lehta, duke u fokusuar gjithnjë e më tepër te krimi i organizuar, vrasjet, lufta ndaj trafikut të drogës. Policia Kriminale, duke filluar nga ky vit do të riorganizohet brenda vetes së saj dhe do të shkëpusë krimet e lehta, duke i konsideruar si krime që kanë më shumë të bëjnë me sigurinë publike dhe me rendin.

Kemi krijuar për herë të parë një drejtori të posaçme që do të merret me fushën e lëndëve narkotike. Ky rikonstruktim do të japë frytet në luftën kundër krimit, bandave të strukturuara. Do ta vazhdojmë ta shtrijmë ata që kemi bërë në drejtorinë qendrore edhe në nivel lokal.

Një rëndësi e madhe i është dhënë edhe momentit të fiksimit të provave për një ngjarje kriminale duke fuqizuar institutin e policisë ligjore”, tha Çuçi.

Ai tha se gjatë sezonit veror, për herë të parë një njësi speciale do të garantojë sigurinë detare. Sipas ministrit, kjo njësi do të kontrollojë kryesisht hapësirën detare dhe tashmë janë vendosur burimet njerëzore dhe mjetet lundruese që do të angazhohen për t;i ardhur në ndihmë sezonit turistik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat