Familja Durdaj humbën djalin 7-vjeçar në tragjedinë e Gërdecit/ SPAK u tregon mbi akuzat ndaj Mediut

Shqipëria

Familja Durdaj humbën djalin 7-vjeçar në tragjedinë e Gërdecit/ SPAK u tregon mbi akuzat ndaj Mediut

Më: 12 janar 2023 Në ora: 08:56
Fatmir Mediu dhe Zamira Durda

Ata mbartin prej 15 vitesh dhimbjen e humbjes së djalit të tyre të mitur në atë tragjedi apokaliptike që tronditi mbarë vendin.

Prej vitesh orvatën për të gjetur drejtësi për vrasjen e të birit, ndërkohë që me kërkesën e tyre ata revokuan çështjen Gërdeci, për ta bërë Prokurorinë e Posaçme të rihapë hetimet për atë dosje. Kështu, një ditë pasi SPAK e mori zyrtarisht të pandehur ish-ministrin e mbrojtjes, Fatmir Mediun, kjo prokurori ka thirrur Zamira dhe Feruzan Durdën, të cilët humbën djalin 7-vjeçar nga tragjedia e Gërdecit.

Sipas informacioneve, Zamira dhe Feruzan Durda janë njohur me vendimin e Prokurorisë në lidhje me hetimin që po zhvillohet për humbjen e 26 personave në Gërdec në vitin 2008. Ata kanë qenë të shoqëruar edhe nga avokati mbrojtës i çështjes së tyre, i cili në dalje ka shpjeguar dhe arsyen e pranisë së tyre në ambientet e SPAK!

REAGIMI

Pas daljes nga SPAK, Dorian Matlia, i cili është edhe avokati i familjes Durda është shprehur se ende nuk janë njohur me dosjen, por do të marrin të gjithë kohën për të shikuar nëse do të këtë kërkesa të tjera ndaj Prokurorisë.

“Ky proces është vënë në lëvizje nga familja Durda, e cila ka kërkuar revokimin e çështjes. Ne nuk jemi njohur me dosjen në fjalë, pasi ne, si palë, na është komunikuar vetëm rezultati. Kjo çështje nuk është diçka e re”, theksoi avokati Dorian Matlia.

Një ditë më parë, deputeti Mediu u njoh me 2 akuza “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues. Të gjithë këto akuza vetë Mediu i quajti politike pasi ai pretendon së nuk është fajtor për rastin Gërdeci.

Brenda 10 ditëve do të jetë seanca paraprake, ku Gjykata do të vlerësoje nëse çështja e Gërdecit do të kalojë apo jo për gjykim.

Por vetë familja Durda në fakt prej vitesh e drejtojnë gishtin nga ish-ministri Mediun, të cilin e akuzojnë për tragjedinë e rëndë, por këtë do ta vendosë gjykata në ditët në vijim. Ish-ministri i Mbrojtjes, si person që rezulton zyrtarisht i pandehur, u mor në pyetje për afro një orë ditën e martë dhe në momentin që doli nga godina e SPAK ai bëri me dije se në fakt akuzohej për të njëjtat akuza, për të cilat ishte hetuar edhe një vit pasi ndodhi ngjarja e rëndë.

Ai tha se SPAK nuk kishte asnjë provë shtesë dhe se akuzat rezultojnë të motivuara politikisht. Mediu theksoi se nuk ka pasur asnjë kontakt me firmën amerikane që merrej me demontimin, teksa sfidoi duke thënë se

“Nëse gjejnë një kontakt timin përtej detyrës si ministër mbaj përgjegjësi maksimale”. Ishministri akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarakkuadër komandues, nenet 70/ 2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak dhe neni 25 i Kodit Penal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat