Denoncimi i ngacmimit seksual, reagon PD: Dënojmë aktin dhe mosreagimin e institucioneve

Shqipëria

Denoncimi i ngacmimit seksual, reagon PD: Dënojmë aktin dhe mosreagimin e institucioneve

Më: 13 janar 2023 Në ora: 15:37
Partia Demokratike

Partia Demokratike ka reaguar pas rastit të transmetuar në emisionin “Stop” në Tv Klan ku një nëpunëse në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve është ngacmuar seksualisht dhe dhunuar nga kolegu i saj 60-vjeçar. Orinda Malltezi, anëtare në Departamentin e Çështjeve Sociale në PD, deklaroi këtë të premte se selia blu dënon aktin e padenjë ndaj zonjës dhe mosreagimin e institucioneve.

“Administratës së Edi Ramës nuk i mjafton korrupsioni financiar pa i shtuar edhe atë erotik. Një punonjëse e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve është ngacmuar seksualisht në vendin e punës, sipas video-dëshmisë së transmetuar nga emisioni “Stop”. Partia Demokratike dënon fillimisht aktin e padenjë ndaj një zonje, dhe së dyti reagimin, më saktë mosreagimin, institucional ndaj këtij akti, duke i cilësuar të dyja tregues të korrupsionit moral dhe shpirtëror të kësaj administrate, të cilën asnjë skandal nuk e ndal dhe asnjë kod nuk e përmban. Sipas videos, ngacmimi seksual vazhdonte prej kohësh, dhe shprehej fizikisht, verbalisht dhe joverbalisht. Në kushtet e mungesës së politikave të qarta për ngacmimin seksual në vendin e punës, punonjësja ishte munduar ta zgjidhte situatën në mënyrë të heshtur, dhe pasi ka konstatuar që nuk ka pasur asnjë ndryshim, është ankuar në nivel administrativ dhe më pas penal. Situata e ngacmimit ka vazhduar në kushtet e mosreagimit të frikshëm të institucioneve, gjë që krijon një precedent që vë në rrezik të gjitha gratë dhe vajzat në administratën publike. Të gjitha institucionet e vëna në dijeni nuk kanë reaguar pas marrjes së ankimimit. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Ministria e Financave dhe Prokuroria e Tiranës, nuk kanë marrë asnjë hap për ta verifikuar situatën dhe për ta adresuar atë. Zonja është lënë vetëm dhe viktimë e një ngacmim seksual për 3 vjet, me gjithë barrën psikologjike që kjo sjell. Institucionet që duhej të kishin reaguar menjëherë sapo janë vënë në dijeni janë: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, drejtuesi i të cilës ka përgjegjësinë kryesore për lejimin e kësaj situate, Ministria e Financës si institucion epror, Departamenti i Administratës Publike, që ka përgjegjësinë e kodifikimit të politikave kundër ngacmimit seksual në vendin e punës dhe monitorimin e zbatimit të tyre”, deklaroi ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat