Kriza e energjisë, ende s’ka dritë në fund të tunelit

Shqipëria

Kriza e energjisë, ende s’ka dritë në fund të tunelit

Më: 22 janar 2023 Në ora: 10:01
Foto ilustrim

Viti 2023 për sektorin e energjisë pritet të jetë vijim i atij që lamë pas, me më shumë rreziqe në treg. Vendi bleu 450 milionë euro importe dhe vetëm në fund të vitit 2022, arriti të niste eksportet të cilat mbetën në nivele modeste. KESH nënvizon se, pavarësisht situatës së vështirë, të paktën për dimrin, energjia nuk do të mungojë falë rezervës hidrike në kaskadën e Drinit. Viti 2023 pritet të jetë kyç për fillimin e operacioneve të Bursës, ndërkohë që interesi për fotovoltaikët parashikohet i lartë, edhe pse efekti i tyre më i dukshëm në diversifikim pritet të jetë pas 2023-shit.

Sipas Monitor, kriza e energjisë, që nisi në fund të verës 2021, edhe pse e lajmëruar nga tregjet, si një efekt anësor i post-pandemisë, nuk arriti të perceptohej plotësisht në shkallëzimin që do të merrte.

Kjo është hera e parë në dekada, që vendet po ndihen të “lodhur” përballë një krize energjie që gllabëron para pa limit dhe askush nuk di të thotë se kur do të jetë fundi dhe kthimi në normalitetin e dikurshëm.

Përfshirja në ekuacionin mjaftueshëm të ndërlikuar të ekonomisë globale, e luftës Rusi-Ukrainë, çoroditi edhe një herë të gjitha tregjet, duke keqësuar më tej krizën e energjisë kur çmimet do të arrinin nivele rekord, të cilat do t’i kalonte në kurriz edhe Shqipëria.

Në vitin 2022, importet ishin rreth 450 milionë euro, kurse vetëm në javën e fundit të nëntorit dhe në dhjetor, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) arriti të çlirohej nga blerjet në tregun e lirë.

Përmirësimi i situatës hidrike në kaskadën e Drinit solli si pasojë që, jo vetëm të prodhohej maksimalisht për të furnizuar vendin, por edhe të shitej në tregun e parregulluar.

Në harkun e një muaji, 22 nëntor deri më 25 dhjetor, KESH arriti të zhvillojë disa procedura për shitjen e energjisë, të cilat i sollën më pas pak lehtësim financiar, i cili, në raport me shpenzimet e vitit për import është sërish një pikë uji në oqean.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat