Tabaku për situatën ekonomike në vend: Shteti asnjë plan për qytetarët, shpërndan lëmoshë

Shqipëria

Tabaku për situatën ekonomike në vend: Shteti asnjë plan për qytetarët, shpërndan lëmoshë

Më: 24 janar 2023 Në ora: 16:05
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka akuzuar qeverinë se nuk po ndihmon qytetarët shqiptarë për të përballuar rritjen e kostove të jetesës.

Përmes një postimi në Facebook, Tabaku thotë se qytetarët po paguajnë nga xhepi i tyre një “inflacion socialist”, që sipas saj është prodhuar nga politikat ekonomike dhe fiskale të qeverisë.

Tabaku shkruan se shteti nuk ka asnjë plan për të ndihmuar qytetarët apo sipërmarrjet, por vetëm shpërndan lëmoshë si “Pakoja e Madhe”.

Postimi i Jorida Tabakut:

Për kë shkojnë paratë e shqiptarëve? Jo për qytetarët…

Një qeveri e papërgjegjshme që nuk punon për shqiptarët kujtohet në fund për t’i shpërndarë disa thërrime që mbeten nga buxheti.

Prej mbi një viti, shqiptarët paguajnë nga xhepi i tyre inflacionin socialist të prodhuar më së shumti nga politikat ekonomike dhe fiskale të qeverisë.

58% e peshës së çmimeve të rritura vijnë nga shkaqet e brendshme. Pjesa tjetër është e importuar.

Në fillim krizën e inflacioneve qeveria e mohoi, nisi ta pohonte vetëm kur u duk ashiqare se çkish ndodhur.

Shifrat tregojnë se inflacioni bazë, praktikisht le ta quajmë inflacion që godet më shumë në xhepa, është 8.42% dhe kjo do të thotë që rritja e çmimeve për produkte të rëndësishme është më e lartë dhe se vendet e bashkimit Europian.

Një qeveri e përgjegjshme do duhej të kishte një paketë të konsoliduar ndihme për qytetarët, sipërmarrjet dhe jo vetëm. Por kjo qeveri nuk është as e përgjegjshme dhe as punon për qytetarët.

Nuk ka asnjë plan për subvencionimin e sipërmarrjeve. Asnjë plan për ndihmën në sektor jetikë si ai i energjisë deh diversifikimit. Nuk ka asnjë plan për ndihmën konkrete ndaj bizneseve të vogla.

Për të mbuluar gjithë sa më sipër angazhohet në shpërndarje lëmoshe ndërsa reformat e saj ekonomike kanë dështuar.

Koha është që të ndryshojmë filozofinë e lëmoshës të qeverisë socialiste për të ofruar filozofinë e sipërmarrjes dhe tregut të lirë.

Koha është të ndryshojmë filozofinë e inflacionit socialist, taksave progresive për të ofruar filozofinë e taksës së sheshtë dhe fiskut me në qendër qytetarin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat