Rritja e çmimeve të bulmetit/ Kreu i Unionit Agroushqimor: Shteti nuk subvencionon, duhet të ndërhyjë sa më shpejt!

Shqipëria

Rritja e çmimeve të bulmetit/ Kreu i Unionit Agroushqimor: Shteti nuk subvencionon, duhet të ndërhyjë sa më shpejt!

Më: 12 shkurt 2023 Në ora: 14:31
Kreu i Unionit Agroushqimor, Theodhor Kristuli

Kreu i Unionit Agroushqimor, Theodhor Kristuli teksa ka komentuar rritjen e çmimeve të produkteve të qumështit të deles dhe nënprodukteve të saj, drejton gishtin nga qeveria, duke thënë se nuk subvencionon me lëndën e parë për blegtoret.

Në studion e lajmeve në Panorama TV, Kristuli u shpreh se në vendet e rajonit, si Kosovë apo Maqedoninë e Veriut subvencionet janë shumë herë më të larta.

Kristuli, kritik ishte edhe ndaj bordit të çmimeve, që sipas tij janë pa sens ekonomik.

“Faktorët janë të shumtë. Marrim blegtorët, të cilët kanë deklaruar se ‘jemi në vështirësi të madhe sepse jemi jo konkurrente ndaj Maqedonisë, Serbisë dhe Kosovës. Ku qëndron kjo diferencë? Vështirësia qëndron se një pjesë e blegtorëve kanë falimentuar, kanë ikur dhe e kanë lënë këtë vend. Pra ka rënë shumë numri i bagëtive, i deleve etj.

Abuzimi ekziston kudo në kapitalizëm dhe është detyra e institucioneve ta ndalojnë. Unë nuk mendoj se është abuzim, por është një rritje drastike e çmimit të lëndës së parë. Pra elementët e kostos janë të rritura.

Ne jemi jo kompetitiv me rajonin. Subvencionimi që bëhet në rajon është më i lartë. Këtu subvencionimi bëhet për krerë. Ndërsa e kundërta ndodh në rajon.

Në Shqipëri nuk të subvencionohet ushqimi për kafshët. Në Kosovë subvencionon deri në 36%. Në Kosovë subvencionohet për të gjithë krerët. Kurse këtu për 300. dhe Maqedoni subvencionohet. Ballkani i Hapur ka bërë atë që ne të mos konkurrojmë me ata, sepse ata i kanë të lira.

Blegtorët janë prekur masivisht nga kriza dhe është fatkeqësi të thuash që gjysma e tyre kanë shkuar punojnë jashtë shtetit. Kjo sepse atyre nuk u del kostoja. Ai nuk mund të konkurrojë kur ushqimi që ja jep bagëtive është 40% me lirë në Kosovë. Nuk mund të punosh në një biznes me humbje”, tha Kristuli.

Përveç lëndës së parë, ai renditi edhe faktorë të tjerë që ndikojnë, sic është fuqia punëtore apo konsumatori.

“Po të ikën fuqia që do të konsumojë. Ikja e tyre masivisht jashtë nuk ka kush të konsumojë. Nuk do shesin më atë sasi që kanë shitur para 4 vitesh. Po nuk u ndërhy nga shteti, minimalisht të bëhet ajo që është bërë në vendet e rajonit”

Ai theksoi se çmimet i vendos konkurrenca dhe jo Bordi i ngritur nga qeveria.

“Është konkurrenca që i vendos të gjitha. Unë abuzim quaj bordin. Nuk ka pasur abuzim tek çmimi i lëndës së parë, përveçse për bordin kam rezervat e  mia. Ajo fikson çmimin. Pastaj kush është pjesëtar i bordit. Mund të jetë një që ka interes për shitjen e mallit? Për mua kanë qenë non sens ekonomik”, u shpreh Kristuli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat