Protesta e opozitës, Meta thirrje për pjesëmarrje: Rama kërkon të asgjësojë pluralizmin, të gjithë para Kuvendit në orën 17:00

Shqipëria

Protesta e opozitës, Meta thirrje për pjesëmarrje: Rama kërkon të asgjësojë pluralizmin, të gjithë para Kuvendit në orën 17:00

Më: 13 shkurt 2023 Në ora: 14:15
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta bëri thirrje për pjesëmarrje në protestën që opozita ka thirrur para Kuvendit në orën 17:00, në të njëjtën orë kur nis seanca plenare.

Teksa falënderon qytetarët që morën pjesë në protestën e 11 shkurtit, Meta shkruan në Facebook se kryeministrin Edi Rama kërkon ndër të tjera “të asgjësojë pluralizmin”, prandaj fton njerëzit në protestë në mbrojtje të demokracisë.

Postimi i Metës:

Mirënjohjen më të thellë për dhjetëra mijëra qytetarë që duke sfiduar një ditë të acartë morrën pjesë në protestën madhështore të 11 shkurtit, mesazhi i fuqishëm i së cilës për shpresën e fitores së shqiptarëve kundër regjimit më të korruptuar në kontinent jehoi ndërkombëtarisht.

“Zhgënjimi” i zëdhënësave mediatikë proregjim për masivitetin dhe qytetarinë e kësaj proteste dëshmon në fakt një përpjekje të dëshpëruar për t’i qarë hallin Kryeministrit në largim dhe Qeverisë. Revolta popullore, ka shpërthyer, më e vendosur se kurrë dhe ajo nuk do të ndalet deri në largimin përfundimtar të Edi Ramës.

Edi Rama kërkon të asgjësojë Kuvendin, sepse kërkon të asgjësojë pluralizmin dhe llogaridhënien, të agjësojë opozitën që përfaqëson vullnetin e 750 mijë qytetarëve që i kanë ngarkuar detyrën e shenjtë të kontrollojë në çdo hap veprimet mafioze të kësaj Qeverie të korruptuar dhe të inkriminuar në çdo qelizë.

Bllokimi mafioz i të gjithë projektligjeve të opozitës, i komisioneve hetimore, i interpelancave, i heqjes të së drejtës së fjalës, i largimit nga Këshilli i Integrimit Europian, i përjashtimit të deputetëve, i bllokimit të informacionit që deputetët i kërkojnë Qeverisë janë krime të vërteta ndaj Kuvendit të kryera nga Edi Rama dhe “Rilindja”.

Kuvendi po kthehet në një zyrë noteriale për korrupsionin e Kryeministrit në largim, ku mungon llogaridhënia, roli mbikqyrës dhe kontrollues dhe vetëm miratohen ligjore me porosi kundër interesit publik dhe kombëtar.

Ndaj të gjithë sot, në ora 17:00, në protestë para Kuvendit, në mbrojtje me çdo çmim të Republikës Parlamentare, themelit të demokracisë dhe pluralizmit politik në Shqipëri!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat