Tensionet në seancën plenare/ Përjashtohen nga Kuvendi gjashtë deputetët e PD-së

Shqipëria

Tensionet në seancën plenare/ Përjashtohen nga Kuvendi gjashtë deputetët e PD-së

Më: 21 shkurt 2023 Në ora: 10:22
Foto nga vendi i ngjarjes

Gjashtë deputetë të tjerë të PD-së janë përjashtuar nga Kuvendi për disa ditë, sipas vendimit të Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën.

Lindita Metaliaj është përjashtuar për 5 ditë, Greta Bardeli 3 ditë, Edmond Spaho 10 ditë, Oerdi Bylykbashi 10 ditë, Elda Hoti 10 ditë dhe Sorina Koti 10 ditë.

Deputeti Edmond Spaho kundërshtoi kërkesën e PS-së gjatë mbledhjes së sotme, ndërsa ishte live në rrjete sociale.

Opozita thotë se faktet tregojnë se mbledhja e Sekretariatit për Procedurat dhe Votimet është në kundërshtim me Rregulloren e Parlamentit, pasi sipas tyre duhej të ishte zhvilluar një ditë më parë dhe jo sot.

Kujtojmë se një ditë më parë Partia Socialiste depozitoi në Kuvend kërkesën për përjashtim 10 ditë nga Kuvendit për gjashtë deputetët e PD-së dhe dyfishim të masës për Edmond Spahon.

Kjo erdhi pasi seanca plenare e së enjtes së kaluar sërish u përfshi nga tensione, ndërsa para Kuvendit po zhvillohej protestë nga anëtarë dhe mbështetës të opozitës.

Deputetët kërkuan mocion me debat me kryeministrin Edi Rama për çështjen McGonigal, ndërsa bllokuan foltoren për 6 orë. Veç bllokimit të foltores dhe kaosit, deputeti Edmond Spaho i binte bilbilit, duke mos lejuar ministrat dhe deputetët të mbanin fjalën.

Ndryshe nga seancat e shkuara socialistët nuk zgjodhën rrugën e shkurtër të votimit të projektligjeve dhe mbylljen e seancës, por vijuan me diskutimet e rendit të ditës.

Megjithatë deputetët demokratë ngulmuan se parlamenti duhet të merret vetëm me llogaridhënien e Edi Ramës për çështjen McGonigal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat