“Procesi i lustracionit duhet të mos jetë kolektiv”, Alibeaj: Ky ligj nuk bëhet për hakmarrje, por për të vërtetën

Shqipëria

“Procesi i lustracionit duhet të mos jetë kolektiv”, Alibeaj: Ky ligj nuk bëhet për hakmarrje, por për të vërtetën

Më: 21 shkurt 2023 Në ora: 12:56
Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj

Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, është shprehur se procesi i lustracionit duhet të mos jetë kolektiv, por individual.

Komentet Alibeaj i bëri gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Alibeaj tha se ky ligj nuk bëhet për hakmarrje, por për të zbuluar të vërtetën e errët të komunizmit dhe për ta përcjellë atë edhe te brezat e rinj.

Ai tha se ata që kanë kryer krime në të kaluarën, duhet të përjashtohen për 15 vite nga çdo pozicion i funksionarit publik.

“Procesi i lustracionit të mos jetë një proces kolektiv, ku të gjithë të mund të futen në një thes. Instrumenti që ne duhet të zgjedhim duhet të jetë i profilizuar dhe të ketë individualismin të përgjegjësisë. Nuk mjaftonte vetëm të ishe i skeduar diku si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Gjykojmë aktet, veprat dhe pasojat që gjyqtarë, hetuesë kanë kryer konkretisht.

Kush ka bërë faj, faj i provuar dhe i dokumentuar. Pra nuk shohim vetëm ndëshkimin e personit, por edhe të veprave. Rast për rast, çdo i zgjedhur, ata që janë pjesë e sistemit gjyqësor, duhet t’i nënshtrohen këtij sistemi, pa bërë një hetim “on block”. Nuk bëhet ky ligj për hakmarrje, ky bëhet për të treguar të vërtetën. Për t’i ndaluar atyre njerëzve që dje kanë bërë krime që sot të jenë të veshur me kostumin e funksionarit. Jemi dakordë edhe për pajtimin kombëtar.

Më e rëndësishmja është që këta individë që kanë bërë faje, ikin në punën e vetë private dhe nuk i qaset më funksionit publik dhe emri i tij nuk linçohet e nuk bëhet publik. Por secili e ka edhe një detyrim që të rrëfejë se çfarë ka bërë në të kaluarën. E vërteta do të duhet të dalë. Prandaj është vendosur si kusht që ai të rrëfehet në mënyrë të qartë dhe të japë të dhëna, në mënyrë që edhe studiuesit ta kenë më të lehtë tja bëjnë të qartë publikut se çfarë ka ndodhur në të kaluarën.

Ne kemi parashikuar që kjo kohë e ndalimit që individë të tillë të mos jenë pjesë e pozicioneve të funksionarit të lartë publik për 15 vite. As nuk mund të zgjidhen dhe as të emërohen. Çdokush ka të drejtën që t’i drejtohet gjykatës, pasi çdokush ka të drejtë ta bëjë këtë, ndryshe nga koha e komunizmit”, është shprehur Alibeaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat