Thirrja e Berishës: Gjeni dhe afroni specialistët e larguar nga administrata publike

Shqipëria

Thirrja e Berishës: Gjeni dhe afroni specialistët e larguar nga administrata publike

Më: 23 shkurt 2023 Në ora: 19:42
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u bëri thirrje drejtuesve të departamenteve në këtë forcë politike që të afrojnë të gjithë specialistët e administratës publike, që sipas tij janë përzënë sepse nuk kanë firmosur për të vjedhur.

Në fjalën e tij, ish-kryeministri Sali Berisha tha se “mbi 900 specialistë i janë bashkuar departamenteve në PD”.

“Afrimi i specialisteve- tha Berisha- ka rëndësi të jashtëzakonshme, sikundër ka rëndësi të jashtëzakonshme afrimi i të gjithë ekselencave i të gjithë atyre që duan të bashkohen me ju”.

“Sot departamentet e PD, janë më të fuqishëm se asnjëherë në historinë e saj. Ato kanë zgjedhur drejtuesit e tyre me vullnetin e tyre, kanë bashkuar rreth tyre, rreth 900 specialistë të fushave përkatëse dhe janë pa asnjë mëdyshje, softi i vërtetë i programit, i qëndrimeve sipas fushave dhe qeverisjes së ardhshme të PD-së.

Në këtë takim, unë gjithashtu dua të theksoj se, një ekspozim, një paraqitje më e plotë e juaja, e kontributeve tuaja, e veprimtarive tuaja, është jashtëzakonisht e rëndësishme si detyrim i transparencës tonë para publikut, por edhe si detyrim që shqiptarët të njihen se cilat janë ekipet që sipas fushave mbështesin, hartojnë programin dhe qëndrimet e PD-së.

Ju siguroj se, së bashku këtij problemi do ti japim përgjigjen më të mirë në javët në vazhdim. Përqendrimi ynë tek departamentet, roli dhe konsolidimi i rolit të tyre ka një rëndësi të jashtëzakonshme për besueshmërinë e forcës tonë politike, për alternativat që ne do të ju paraqesim shqiptarëve, si dhe për afrimin gjithnjë e më të madh të specialistëve dhe ekspertëve më të mirë në këto departamente.

Sot janë me qindra e qindra, mos dhe mijëra specialistë të shkëlqyer të përzënë nga administrata publike. Ka prej tyre që edhe kanë shërbyer mbi 20 vite me disa kryeministra, shërbëtorë dinjitozë të vendit, dhe përzihen vetëm për faktin e thjeshtë se ata nuk firmosin për të vjedhur. Për ne ata janë shumë të çmuar.

Tre ditë më parë njihesha me historinë e njërit prej jush. 20 vite në një detyrë të rëndësishme, për ata që e konsiderojnë qeverisjen të rëndësishme, detyrë koordinimi dhe pas riorganizimeve i shkon një hajdut me një zinxhir dosjesh në prokurori, dhe i thotë tani ti, duhet të provohesh edhe njëherë në provim se ke 20 vite pa lëvizur, sepse ky natyrisht nuk firmoste, nuk firmoste vjedhjet e tij, tenderat e tij dhe si përfundim ky doli nga shërbimi.

Në vetvete ai kishte një koordinator i shkëlqyer në atë fushë që ishte. Por të tillë janë me qindra, mijëra. Janë sistemuar në sektorin privat, ju takon ju ti gjeni, ti afroni, ti qëmtoni. Ka rëndësi të jashtëzakonshme afrimi i tyre, sikundër ka rëndësi të jashtëzakonshme afrimi i të gjithë ekselencave i të gjithë atyre që duan të bashkohen me ju. Njerëz me kontribute, me ëndërra perspektiva”, tha Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat