“Qytet simbol”, 32-vjetori i themelimit të PD në Gjirokastër, Berisha: Përulem para atyre vajzave dhe djemve, nuk u mposhtën as në kushte terrori

Shqipëria

“Qytet simbol”, 32-vjetori i themelimit të PD në Gjirokastër, Berisha: Përulem para atyre vajzave dhe djemve, nuk u mposhtën as në kushte terrori

Më: 25 shkurt 2023 Në ora: 12:44
Sali Berisha

Në 32-vjetorin e themelimit të degës së PD në Gjirokastër, kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se ky qytet është simbol për mbarë kombin.

Berisha tha se ato vajza dhe djem, burra dhe gra, ishin të guximshëm dhe pavarësisht kushteve të terrorit që përjetuan, nuk u mposhtën.

“Gjirokastra, qytet simbol për mbarë kombin. Historikisht ka qenë një epiqendër shumë e rëndësishme e kombit. Unë dua të përshëndes të gjithë gjirokastritët, të përulem para atyre që themeluan 32 vjet më parë degën e PD. Ata ishin djem dhe vajza, burra dhe gra guximtarë.

Qëndruan të pamposhtur edhe në kushte terrori. Edhe breshëri u hodhën drejt tyre, por nuk u mposhtën dhe qëndruan për ato vlera të cilat revolucioni i viteve 1990 synonte të sillte në Shqipëri. Ai revolucion përmbysi një rend shoqëror, ndër më tragjikët në historinë e njerëzimit, ndër më çnjerëzor dhe më barbarët në historinë e Shqipërisë.

Një rend që në Shqipëri njohu format më të egra. Shqiptarët përjetuan një kasaphanë të luftës së klasave, përjetuan një tirani mjerimi nga hipekolektivizmi total, që i vendosi ata në një uri kronike, përjetuan një tirani izolimi të paparë në historinë e tyre. Si asnjë vend tjetër në historinë e Europës dhe botës, e shkëputur për dekada. Përjetuan tiraninë e indoktrinimit. Kjo më e fuqishme dhe më e shprehur se në ndonjë vend tjetër.

Revolucioni i vitit 1990 solli në arenë, në skenë forcën politike që do mbronte interesin kombëtar, që do i dilte zot çështjes shqiptare.
Sot, pas 32 vitesh, Shqipëria është vite drite larg nga ajo periudhë në shumë aspekte. Sot Shqipëria, falë atij revolucioni është anëtare e NATO-s, tani ka hapur negociatat, shqiptarët lëvizin lirshëm në hapësirën e Shengenit. Por prapë sot, pas 32 vitesh, ne jemi në një monizëm të plotë njëlloj si 32 vite më parë. Nëse monizmi i 32 viteve më parë bazohej në një doktrinë çnjerëzore të marksizëm-leninizmit, sot ky monizëm nuk është i bazuar më këtë doktrinë.

Ky monizëm është i bazuar në krimin, i cili në disa aspekte tejkalon çdo lloj standardi, është i bazuar në drogën, që në pamje të parë duket sikur sjell dobira, por paraja e drogës është toksike. Asnjë vend nuk është zhvilluar nga krimi dhe droga. Le të marrim Tiranën sot. Tirana është vendi me treguesin më të lartë të ndërtimeve në Europë. Normalisht, sipas të gjitha ligjeve të tregut, Tirana duhet të kishte çmimet më të arsyeshme të apartamenteve, por ajo i ka të tretat më të shtrenjtat në Europë. Sepse zoti i tregut nuk është ekonomia që krijuan qytetarët, por narko-eurot. Ky monizëm i dytë ka pasur pasoja katastrofale për vendin. 40 përqind e banorëve të Gjirokastrës janë larguar”, tha Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat