Masakra e trefishtë në Tiranë, autori ishte mohuar nga familja e tij. Fqinjët: Vëllai i fali përdhunimin e gruas

Shqipëria

Masakra e trefishtë në Tiranë, autori ishte mohuar nga familja e tij. Fqinjët: Vëllai i fali përdhunimin e gruas

Më: 2 mars 2023 Në ora: 18:08
Dan Hutra

Dan Hutra, vrasësi i tre grave një ditë më parë në Tiranë, ishte mohuar edhe nga familja e tij për vrasjen e ish gruas së tij në vitin 2007.

Një çift të moshuarish që jetojnë në lagjen ku banonte Hutra, tregojnë se në vitin 2003 ai kishte përdhunuar bashkëshorten e vëllait të tij, por ata e kishin falur për këtë akt, dhe nuk ishte dënuar as nga drejtësia.

Ka qenë viti 2007, kur ai vrau me thikë ish bashkëshorten në banesën e tyre në Bathore, momenti kur familja vendosi t’i kthejë shpinën. Fqinjët e tyre shprehen për Euronews Albania, se familjarët e tij vendosën të largohen nga vendi duke kërkuar azil politik pasi Hutra doli nga burgu, duke qenë se ai i kërcënonte.

“E mohuan siç vrau gruan e dytë, jo për përdhunimin e gruas së tij se për atë nuk i mbajtën mëri. Përdhunimin e quajtën si ngatërresë nate dhe si pa njeri.

As shteti nuk e dënoi për atë gjë. U pajtuan bën dhe dasmë kur u martua ky. E bën te shtëpia këtu. Më pas ai u zhvendos të jetonte në Bathore, atje e theri gruan. Pas vrasjes s’u bënë më me atë, vetëm e ëma i shkonte në burg. Kur doli ky nga burgu në darkë, në mëngjes ata ikën dhe u larguan nga Shqipëria se kishin frikë nga vëllai i tyre. Kërkuan strehim politik se i kërcënonte”, thanë fqinjët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat