Vendimi për “vulën” e PD-së, Berisha jep porositë për strukturat dhe tregon diskutimet në forumet e partisë

Shqipëria

Vendimi për “vulën” e PD-së, Berisha jep porositë për strukturat dhe tregon diskutimet në forumet e partisë

Më: 5 mars 2023 Në ora: 18:29
Ish-kryeministri Sali Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se në forumet e kësaj force politike janë zhvilluar diskutime të shumta pas vendimit të “Apelit” për “vulën” e PD-së dhe sipas tij ka mbizotëruar vendosmëria për të marrë pjesë në zgjedhje dhe për t’i fituar ato.

Komentet Berisha i bëri gjatë një mbledhje me Këshillin Kombëtar të PD-së, ku porositi strukturat që të aktivizohen më shumë gjatë kësaj kohe, pasi sipas tij do i bëjnë një shërbim të madh Shqipërisë.

Ai shtoi se revolucioni paqësor i opozitës do të vijojë deri në fitoren e plotë kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

“Në të gjithë këtë proces që ne kalua, duke patur një mori faktorësh kundër, ne armë të vetme kishim lirinë. Ne vendosëm të rikthejmë lirinë dhe vlerat e saj në shoqërinë tonë. Rivendosëm votën e lirë në piedestal në shoqërinë tonë. Asgjë nuk ndëshkon një popull sa mungesa e votës së lirë. Sot PD pas vendimit anti-kushtetues të Ramës, ndodhet para një përgjegjësie të madhe, për ti dhënë përgjigjen më të merituar regjimit të Ramës. Me vendimin e tij Rama u shërbye nga 2 pengje, 2 persona të cilët luajtën rolin më të ulët, kryen veprimet më antikushtetuese ndaj pluralizmit.

Ata janë vasal të Ramës. Për interesa të tyre dhe si pengje, ata i lejuan vetes të bëhen vegla kundër pluralizmit. Ata e bënë këtë në një kohë që Rama është një kufomë politike. Aq të detyruar ishin ndaj tij, saqë në një rol të shpifur u bënë instrumenta të atij vendimi. Këta dy persona nuk kanë më asnjë lidhje me PD-në, por janë një histori turpi që tejkalon në këto 30 vite çdo histori të turpshme. Ndaj dhe PD ndahet në mënyrë përfundimtare me këta bashkëpunëtorë.

Nga këta të marrë peng, të cilët i shërbyen, apo i shfrytëzoi Rama për vendimin më armiqësor në këto 30 vite ndaj pluralizmit politik në Shqipëri. Në këtë kontekst, Këshilli Kombëtar duhet të përcaktojë sot qëndrimin përfundimtar ndaj tyre. I bëj thirrje çdo demokrati dhe demokrateje të mbështesë kandidatët e PD-së. Sot ka vetëm një PD dhe ajo është partia e antarësisë së saj. Është e pamposhtur. Gabojnë ata të cilët mendojnë se me vendime anti-kushtetuese do të mundin të mposhtin këtë forcë politike.

Jemi këtu për t’i thënë Ramës që prej shumë kohësh ne të kemi shpallur armik të votës së lirë. Ti je një armik gjithashtu i Amerikës. Prap mund të kesh ndonjë mbështetës, por çdo pro-amerikan në Shqipëri duhet ta dijë se akti i tij armiqësor ndaj SHBA-së, barazohet vetëm me aktet e Putinit apo Kim Jong Un. Me të njëjtën urrejtje që flakte flamurin amerikan, me atë urrejtje korruptoi McGonigal. Shqiptarët duhet ta dinë se çdo ditë që ai qëndron në pushtet është ditë turpi për Shqipërinë. Detyrat tona, misioni ynë, në jemi në një moment shumë të veçantë, në një fushatë elektorale, ku Rama bën gjithçka që ne të mos marrim pjesë në votime. Por revolucioni ynë paqësor një nga shtyllat kryesore ka pjesëmarrjen në votime. Ne do të bëjmë gjithçka për një fitore të thellë në këto zgjedhje.

Në këtë fushatë ne kemi ardhur më të përgatitur se kurrë, me kandidatë të shkëlqyer, në mënyrë transparente. Në këto kushte kërkohen nga ne të shumëfishojmë mbeshtetjen për kandidatët tanë. Rama u përpoq që ne të mos hyjmë në zgjedhje, por ne nuk bojkotojmë as zgjedhjet, as Shqipërinë. Ne do i qëndrojmë interesit kombëtar. Pas këtij vendimi ka pasur në forume diskutime të hapura. Është Këshilli Kombëtar ai që do të marrë vendimet përfundimtare. Në këto takime ka mbizotëruar vendosmëria për të marrë pjesë në zgjedhje dhe për t’i fituar zgjedhjet. Kemi ndërmend të kthehemi në forcën më të fuqishme politike në vend. Ne duhet t’i qëndrojmë dhëmbë për dhëmbë këtij armiku të egër të shqiptarëve.

T’i shkurtojmë kohën e qeverisjes Ramës, kryetarit të një organizate kriminale më të rrezikshme në Europë. Duhet të organizohemi në të gjitha metodat e luftës me mosbindje civile paqësore. Këto detyra të vështira, të mëdha, komplekse, i përmbushin dhe do t’i përmbushin vetëm misionarët që janë anëtarët dhe simpatizantët tanë. Sot do i bëjmë një shërbim shumë më të madh Shqipërisë se në 91-shin. Ne do të vazhdojmë deri në fund revolucionin tonë paqësor”, u shpreh Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat